HALIL ARIF GECAJ (1930-1984)

Me rastin e 40 vjetorit të vdekjes së Halil Arif Gecajt, ne bijtë dhe bijat e tij, e kujtojmë me shumë mall, dashuri e respekt. Ne mburremi dhe krenohemi për babën tonë të paharruar. Ai na dhuroi gjithçka në jetë: dashuri familjare e njerëzore dhe na edukoi ta duam atdheun e Kosovën tonë.

Halil Arif Gecaj lindi në fshatin Llukë e Ulët në vitin 1930, komuna Deçan nga prindërit Arif dhe Time Malokaj Gecaj. Rrjedh nga një familje e njohur dukagjinase, e cila ka trashëguar traditat shqiptare: dashurinë ndaj familjes, ndaj të tjerëve dhe mbi të gjitha dashurinë ndaj atdheut.

Halili ishte fëmija i tretë nga shtatë fëmijët e babait të tij, Arif Gecajt, katër djem dhe tri vajza: Smajli, Meta, Halili, Rrustemi, Ziza, Ajmanja dhe Hava.

Halil Gecaj, duke qenë i edukuar dhe i rritur në një familje të madhe, ka ndjekur rrugën trashëgimtare të të parëve të tij dhe është përpjekur që këtë begati të saj ta afirmojë sa më shumë me punë dhe vepra të mirëfillta kombëtare.

Halili qysh si fëmijë e kuptoi se jeta është e bukur kur ajo begatohet me tiparet njerëzore, me dashuri dhe vullnet për të krijuar familje të mbarë dhe të shëndetshme. Familja Gecaj kishte një miqësi të gjerë në Dukagjin e përtej tij, kurse vetë Halili ishte ai që ia rriti edhe më shumë nderin dhe dinjitetin e saj.

Gjatë tërë jetës u muar me punë bujqësore dhe blegtorale. Nga natyra ishte i zgjuar, zemërmirë dhe shumë bujar që veten e lënte keq për ta ndihmuar tjetrin në nevojë.

Në vitin 1957 u martua me Dykë Mushkolaj nga Irzniqi i Deçanit, një familje, gjithashtu e njohur në Dukagjin. Halili me Dykën lindën pesë djem dhe dy vajza: Hysenin, Muharremin, Xhaferin, Çaushin, Shpendin dhe vajzat, Shpresën dhe Havën.

Kur motra e tij Ziza, e martuar për Metë Bajraktarin e Vranocit, i cili ndodhej në pritje në Itali, përkatësisht në Atena për të migruar me tri vajzat dhe djalin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Halil Gecaj, vendosi ta vizitonte atë, edhe pse kishte shumë vështirësi përpara, sepse asnjëherë nuk kishte dalë jashtë Kosovës, dhe nuk dinte asnjë gjuhë të huaj për të përballuar këtë rrugë të gjatë, herë me tren e herë me autobus. Ky fakt flet për gjindshmërinë dhe sakrificën që bënte për motrën e tij, Zizën.

Halili më 1975 i bën një vizitë edhe vëllait të tij më të vogël Rrustemit në Itali që, gjithashtu, ishte në pritje për të emigruar në SHBA.

Meqenëse i vëllai Rrustem Gecaj kishte migruar në SHBA, Halili e ka vizituar atë më 1978-1979 në New York. Në këtë vizitë që i bën të vëllait, motrës Ziza, nipave dhe mbesave, Halili pat rast të njihej edhe me shumë bashkëatdhetarë të ardhur nga trojet shqiptare.

Halil Arif Gecaj në vitin 1981 filloi të lëngonte nga një sëmundje e rëndë, e cila dalëngadalë ia grryente trupin dhe shpirtin e tij dhe në një moshë relativisht të re më 1984, kur ishte vetëm 54 vjeç, vdiq në vendlindjen e tij në Llukë të Ulët prej se cilës s’u nda kurrë.

Ai pas veti la një familje të shëndoshë, të edukuar në mirësi e tradita kombëtare.

Shpirti i tij, pushoftë në paqe të përhershme.

Familja Gecaj,

në Llukë të Ulët të Deçanit dhe në SHBA