Hamasi i akuzon Shtetet e Bashkuara për “ndryshim” të propozimit për armëpushim në Gazë

Gazë, 30 gusht 2024 – Grupi militant palestinez Hamas tha se versioni i fundit i propozimit amerikan për arritjen e armëpushimit në Gazë devijon nga pikat për të cilat ishte arritur pajtim më parë.

Hamasi akuzoi Izraelin dhe aleatin e tij, Shtetet e Bashkuara, se janë “të pasinqertë”, duke vlerësuar se propozimi i përditësuar “shkakton paqartësi të shumta”.

“Ky nuk është version që na është prezantuar dhe as versioni me të cilin jemi pajtuar”, tha zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan.

“Nuk na duhen negociata shtesë, duhet të pajtohemi rreth mekanizmit zbatues. Kur (Sekretari) Blinken thotë se izraelitët janë pajtuar dhe izraelitët thonë se propozimi është përditësuar, kjo nënkupton se administrata amerikane po i nënshtrohet trysnisë nga Izraeli dhe jo e kundërta”, tha ai.

Hamdan e akuzoi Izraelin për parashtrimin e kushteve të reja që bien ndesh me propozimin amerikan, i cili, sipas tij, parashihte tërheqjen e plotë të Izraelit në dy faza dhe një armëpushim të përhershëm, ndërsa Izraeli tani kërkon armëpushim të përkohshëm për gjashtë javë dhe prani të forcave të tij në dy korridore, përfshirë vendkalimin kufitar me Egjiptin.

Reagimi i Hamasit erdhi në kohën që Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, takoi udhëheqësit e Egjiptit, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për të bindur Izraelin dhe Hamasin që të bien dakord për një marrëveshje që do të ndalonte luftimet 10 mujore në Gazë.

Të hënën, pas takimit me Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Sekretari Blinken, i cili i quajti negociatat si përpjekjen “e fundit”, tha se Izraeli u pajtua me propozimin amerikan që ka për qëllim të afrojë qëndrimet e palëve dhe i bëri thirrje Hamasit që të bie dakord me planin.

Blinken tha se “ende ka çështje të hapura që lidhen me zbatimin” e marrëveshjes si edhe me qartësimin e detyrimeve që dalin nga ajo për palët.

Sipas zyrtarëve të angazhuar në negociata, ekzistojnë mosmarrëveshje rreth pranisë së vazhdueshme të Izraelit brenda Gazës, në veçanti përgjatë kufirit me Egjiptin, rreth lëvizjes së lirë të palestinezëve në Rripin e Gazës si dhe numrit dhe identitetit të të burgosurve palestinezë që pritet të këmbehen me pengjet e rrëmbyera nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke u mbështetur në burime egjiptiane të sigurisë, tha se Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një prani ndërkombëtare në Rripin e Gazës, një sugjerim që, sipas tyre, është i pranueshëm për Kajron, nëse mandati i kësaj pranie ndërkombëtare kufizohet deri në gjashtë muaj.

(Sipas Zërit të Amerikës)