Gazë, 2 shkurt 2024 – Katari tha se Hamasi e ka dhënë miratimin “fillestar” për një marrëveshje për lirimin e pengjeve, në këmbim të të burgosurve. Kjo marrëveshje do të çonte në një armëpushim midis radikalëve palestinezë dhe Izraelit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, tha se gjatë bisedimeve të fundit në Paris, mes zyrtarëve të Katarit, Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Egjiptit, është diskutuar për një propozim për armëpushim në Gazë.
“Propozimi është miratuar nga pala izraelite dhe tani kemi konfirmim pozitiv fillestar edhe nga pala e Hamasit”, tha ai.
Ansari tha se ka shpresë për “lajme të mira” lidhur me një fazë të re në luftën në Gazë, duke paralajmëruar se mund të ketë lëvizje në këtë drejtim “në javët në vijim”.
Plani i armëpushimit përfshin lirimin në faza të mbi 100 pengjeve që Hamasi rrëmbeu gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael. Në nëntor u lirua një pjesë e pengjeve në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë në Izrael. Po ashtu, plani për armëpushim prej dy muajsh, parasheh ndërprerjen e luftimeve, që do të mundësonte dërgimin e ndihmës më të madhe humanitare në Gazë.
Izraeli nisi ofensivën e tij në Rripin e Gazës, pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit. Si pasojë e sulmeve izraelite, në Gazën prej 2.3 milionë banorësh, deri më tani janë vrarë mbi 27.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor. Megjithatë, ky institucion nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë.
(REL)