Elvis Hila, BIRN
Ambasadori italian konfirmon se qendrat pritëse në Shëngjin dhe Gjadër janë gati, por mbetet e paqartë kur do të mbërrijë kontingjenti i parë i emigrantëve.
Nga e premtja, qendrat pritëse të refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës janë gati për të pritur kontingjentin e parë të emigrantëve. Strukturat e ngritura janë pajisur me logjistikën dhe personelin e nevojshëm, ndërsa autoritetet italiane, në prani të ambasadorit Fabrizio Bucci, hapën dyert dhe prezantuan mënyrën e funksionimit të kampit të Gjadrit.
“Jemi këtu për të konfirmuar se qendrat pritëse për emigrantët në Shëngjin dhe Gjadër janë gati për të pritur kontingjentin e parë,” tha në një bashkëbisedim të shkurtër me gazetarët ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci. “Ato janë pajisur me logjistikën dhe personelin e nevojshëm për të qenë funksionale,” shtoi ai.
Struktura është e ndarë në pesë seksione, ku në hyrje ndodhet administrata, ndërsa zona brenda kampit monitorohet nga policia italiane, e cila qëndron ndërmjet ambienteve të punonjësve dhe refugjatëve. Këta të fundit janë të vendosur brenda një rrethimi të dytë, pas atij që rrethon të gjithë kampin.
Kapaciteti aktual nuk i kalon 400 vende, por gjithçka mund të ndryshojë në vazhdimësi. Brenda rrethimit tjetër, të veçuar nga pjesa tjetër e grupit, do të vendosen refugjatët të cilëve u refuzohet azili, por nuk pranojnë të riatdhesohen. Autoritetet italiane do të përcaktojnë mënyrën e operimit në këtë zonë, ku janë vendosur 8 dhoma me nga 4 shtretër secila.
Në fund të strukturës është vendosur edhe burgu, i cili përbëhet nga dhoma gjykimi sipas legjislacionit italian për refugjatët që kryejnë vepra penale dhe ruhet plotësisht nga policia italiane. Pas dhomave të gjykimit janë qelitë.
Sa i përket sigurisë në këto dy kampe, koloneli italian për Mbrojtjen dhe Sigurinë në kampin e Gjadrit tha se, pavarësisht çdo ngjarjeje ose konflikti që ndodh mes refugjatëve, përgjegjësia i takon autoriteteve italiane, duke përjashtuar ndërhyrjen nga autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri.
“Nëse ndodh një incident mes emigrantëve, duhet të ndërhyjmë për mbrojtjen e tyre; nuk mund të shohim dhe të rrimë,” tha gjenerali italian Massimmo Schannichio. “Siç bëjmë në Itali, do të veprojmë edhe këtu, përfshirë identifikimin e krimeve të tilla, për t’i adresuar autoriteteve në Itali,” shtoi ai.
Procedura për vlerësimin e kërkesave për azil nga emigrantët që do të strehohen në Gjadër pritet të zgjasë 28 ditë.
Pas përfundimit disa muaj më parë të qendrës pritëse në Shëngjin, edhe kampi në Gjadër është gati, por autoritetet nuk kanë asnjë konfirmim se kur do të vijnë refugjatët e parë.
Aktualisht janë përfunduar rreth 70% e punimeve dhe do të vijohet të paktën edhe për 3 muaj të tjerë për të realizuar pjesën tjetër të punës në ngritjen e kësaj strukture.
Qendra ishte planifikuar të hapej më 1 shtator, kur do të vinin edhe refugjatët e parë, por për shkak të vonesave në punime, hapja u shty. Marrëveshja Shqipëri-Itali për refugjatët është arritur më 6 nëntor të vitit 2023, fillimisht për pesë vjet, dhe është planifikuar të priten 36 mijë emigrantë në vit. Ata do të vijnë përmes detit në Portin e Shëngjinit, ku do të qëndrojnë për 48 orë në qendrën pritëse dhe më pas do të dërgohen në kampin e Gjadrit, deri në shqyrtimin e procedurave dhe dokumentacionit për azil.