Nju Jork, 20 shtator 2022 – Në Nju Jork u hap për herë të parë pas dy vjetësh me pjesëmarrjen në sallë të udhëheqësve botërorë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Pas dy vitesh kufizimesh nga pandemia, Asambleja e Përgjithshme u bëri ftesë udhëheqësve botërorë të vijnë personalisht nëse dëshirojnë të flasin, duke bërë një përjashtim vetëm për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në seancën hapëse, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u ra kambanave të alarmit të martën për krizat e shumta globale.
Ai tha se vendet e botës janë “bllokuar në një mosfunksionim kolosal global” dhe nuk janë të përgatitura dhe as nuk kanë vullnetin të trajtojnë sfidat kryesore që kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit dhe fatin e planetit.
Shefi i OKB-së e vuri theksin tek lufta në Ukrainë, konfliktet e shumta në mbarë botën, urgjencën klimatike, situatën e rëndë financiare të vendeve në zhvillim dhe hapat pas në objektivat e OKB-së si eliminimi i varfërisë ekstreme dhe arsimi cilësor për të gjithë fëmijët.
“Bota jonë është në rrezik – dhe e paralizuar,” tha zoti Guterres.
Por ai tha se ka shpresë për ndryshim, duke theksuar se bashkëpunimi dhe dialogu janë e vetmja rrugë përpara.
Ai paralajmëroi se “asnjë fuqi apo grup nuk mund të vendosë i vetëm.”
“Le të punojmë si një koalicion i botës, si vendet të bashkuara,” u bëri thirrje ai udhëheqësve të mbledhur në sallën e Asamblesë së Përgjithshme.
(Zëri i Amerikës)