Haradinaj i ofron mbështetje qeverisë për situatën në veri

Prishtinë, 25 shtator 2021 – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ajo që po ndodh në veri të Kosovës është e papranueshme dhe i ka ofruar mbështetje të fuqishme Policisë dhe institutucioneve të Kosovës për mbrojtjen e rendit e ligjit. “Pavarësisht se si janë zhvilluar gjërat, se si është marrë vendimi për targat, ajo që po ndodh në veri të vendit është e papranueshme. E mbështes fuqishëm Policinë e Kosovës dhe institucionet e vendit të cilat janë vënë në mbrojtje të rendit dhe të ligjit”, ka thënë Haradinaj, në një reagim në Facebook.

Haradinaj ka thënë se provokimet që po ndodhin në këtë pjesë të vendit janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë dhe ka theksuar se Prishtina duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve.

Ai ka kërkuar që Brukseli të ndërhyjë te Beogradi dhe të kërkojë që të mos vazhdojë ta provokojë situatën në veri të Kosovës si edhe që t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara.

Haradinaj i ka bërë këto komente pas dy incidenteve që ndodhën të shtunën në Zubik Potok dhe në Zveçan

Të shtunën, në orët e para të mëngjesit, në Zubin Potok është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, ndërsa në Qendrën e Regjistrimit Civil në Zveçan janë hedhur dy bomba dore, të cilat nuk kanë eksploduar.

Për shkak të situatës në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.

(r.m.)