Prishtinë, 14 mars 2023 – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Pas takimit, Haradinaj ka thënë se gjatë takimit e ka shprehur qëndrimin e AAK-së në mbështetje të marrëveshjes Kosovë-Serbi të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian, të cilën e përkrah SHBA-ja.
“E falënderova personalisht Ambasadorin Hovenier për angazhimin e tij dhe të ShBA-ve në mbështetje të Kosovës.
Njëkohësisht prezantova qëndrimin e Aleancës në mbështetje të marrëveshjes Kosovë-Serbi, duke theksuar se kjo marrëveshje i jep njohjen ndërkombëtare Kosovës, rrugëtimin e sigurt drejt integrimit në NATO dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, ka shkruar ai në Facebook.
Haradinaj ka theksuar se beson fuqishëm në mbështetjen e SHBA-së edhe në këtë proces.
“Partneriteti i vendit tonë me SHBA-të është afatgjatë dhe strategjik”, ka theksuar ai.
Ambasadori Hovenier është takuar sot edhe Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe nënkryetarët Lutfi Haziri e Kujtim Shala, ku është diskutuar edhe për procesin e dialogut me Serbinë.
“LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Në takim po ashtu elaboruam edhe pikëpamjet tona mbi Preambulën, Nenin 7 dhe Nenin 10 të tekstit të marrëveshjes”, ka theksuar Abdixhiku.
(r.m.)