Haradinaj në takim me Escobarin e Lajçakun: Jemi të përkushtuar për një marrëveshje që ka epilog njohjen e ndërsjellë, në kufijtë ekzistues

Prishtinë, 1 shkurt 2022 – Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është takuar sot me Përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Pas përfundimit të takimit, Haradinaj ka shkruar në Facebook se ai e ka përsëritur përkushtimin për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Kam zhvilluar një takim sot, me emisarin amerikan Shkëlqesinë e tij Gabriel Escobar Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi dhe Çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, Shkëlqesinë e tij Miroslav Lajčak. Gjithashtu ishte kënaqësi ta takoja Ambasadorin e ri amerikan në Kosovë, Shkëlqesinë e tij Jeffrey M. Hovenier.

Kam ripërsëritur përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, gjë që mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkrtuar Haradinaj.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian i ka falënderuar për mbështetjen që kanë dhënë për Kosovën.

(r.m.)