Uashington, 23 tetor 2024 – Kryetari i subjektit opozitar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, në Uashington të Shteteve të Bashkuara.
Haradinaj tha se angazhimi i udhëheqjes amerikane është i domosdoshëm që të arrihet një marrëveshje strategjike mes dy shteteve, duke shtuar se ky angazhim është i domosdoshëm edhe sa i përket përparimit të Kosovës drejt integrimit euroatlantik, përfshirë në NATO.
“Në këtë takim, theksova nevojën për një kontratë afatgjate që për synim ka anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO, pasi ky është një hap jetik për garantimin e sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në rajon”, shkroi Haradinaj në
Kosova ka vendosur si synime të saj strategjike anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Në fund të vitit 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, por aplikimi i Prishtinës ka ngecur në sirtarët e bllokut evropian.
Ndërkaq, sa i përket NATO-s, aleancës ushtarake e cila ka mision paqeruajtës në Kosovë, Prishtina fillimisht kërkon që të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, e më pas një anëtarësim të plotë në këtë aleancë.
Haradinaj tha se të gjitha arritjet e Kosovës që nga vitet ’90 dhe procesi i shtetndërtimit janë bërë në partneritet të ngushtë me SHBA-në.
“Edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë një fitore e përbashkët”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Ndryshe, Kasanof në fillim të tetorit vizitoi Kosovën dhe Serbinë. Ai tha se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën.
“Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv”, tha Kasanof gjatë një takimi me gazetarë në Prishtinë më 11 tetor.
Kosova është kritikuar nga SHBA-ja, por edhe Bashkimi Evropian, për disa hapa të ndërmarra nga Qeveria që kanë ndikim në komunitetin serb, sikurse heqja nga përdorimi për pagesa me para të gatshme i dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele, që funksionojnë sipas sistemit serb, e tjera.
SHBA-ja disa herë i ka cilësuar këto veprime si “të pakoordinuara” dhe “të njëanshme”, duke e paralajmëruar Kurtin se veprime të tilla mund të ndikojnë negativisht në cilësinë e partneritetit mes dy vendeve.
(Radio Evropa e Lirë)