Uashington, 22 tetor 2024 – Kanë mbetur dy javë nga dita e votimit për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. Kandidatja demokrate, Nënpresidentja Kamala Harris dhe kundërshtari i saj republikan, ish-Presidenti Donald Trump janë përqëndruar thuajse plotësisht tek shtatë shtetet vendimtare që ka të ngjarë të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Më shumë se 14 milionë amerikanë e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre përmes votimit të hershëm, sipas të dhënave të Laboratorit të Zgjedhjeve pranë Universitetit të Floridës dhe shumë të tjerë pritet të veprojnë njësoj në ditët në vazhdim, ndërsa qendrat e votimit janë hapur herët thuajse në të 50 shtetet dhe po ashtu po praktikohet votimi përmes postës.
Anketimet në nivel kombëtar tregojnë se kjo është gara me diferencën më të ngushtë për dekada të tëra, ndërsa zonja Harris ka një epërsi të lehtë.
Fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara nuk përcaktohen nga vota popullore, por nga vota e Kolegjit Elektoral, çka bën që zgjedhjet të jenë një garë shtet më shtet. Në 48 nga 50 shtetet, fituesi i merr të gjithë elektorët e shtetit, me përjashtim të dy shteteve, Nebraskës dhe Meinit, të cilat i ndajnë elektorët në bazë të rezultatit të zgjedhjeve.
Numri i elektorëve të çdo shteti përcaktohet nga popullsia e tij, pra shtetet më të mëdha, kanë ndikimin më të madh në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve në nivel kombëtar.
Që një kandidat të fitojë, i duhet të sigurojë 270 nga 538 votat në total që ka Kolegji Elektoral.
Anketimet tregojnë se në 43 shtete, pak a shumë dihet fituesi.
Nëse kjo nuk ndryshon, atëherë rezultati do të përcaktohej nga shtatë shtetet: Viskonsin, Miçigan, Penslivani, Karolina e Veriut, Xhorxhia, Arizona dhe Nevada.
Diferenca në këto shtete, sipas anketave të fundit, është në kufijtë e masës së gabimit të sondazheve, çka bën që në secilin prej tyre, rezultati të jetë në pikëpyetje.
Pikërisht për këtë arsye, kandidatët Harris dhe Trump i kanë përqendruar takimet zgjedhore në këto shtete, një agjendë që ka të ngjarë të vazhdojë po kështu edhe në dy javët e fundit të fushatës.
Kamala Harris festoi 60-vjetorin të dielën duke folur në një kishë në Stonecrest, të Xhorxhias, 50 kilometra në lindje të qytetit më të madh të këtij shteti, Atlantës, një bastion i demokratëve. Ajo foli mbi fëmijërinë e saj në një kishë zezakësh, duke vënë në dukje retorikën e ashpër dhe përçarëse në politikën aktuale, edhe pse nuk e përmendi me emër Donald Trumpin. Ndalesa e radhës ishte organizata fetare ‘Divine Faith Ministries International’ në jug të Atlantës, ku bëri thirrje për ushtrimin e të drejtës për të votuar.
Më pas, ajo regjistroi një intervistë me udhëheqësin e të drejtave civile, Al Sharpton.
Ndërkohë, Donald Trumpi, veshi përparësen në një nga restorant McDonalds, në Pensilvani duke u shërbyer klintëve.
Zonja Harris është shprehur se kur ishte në kolegj, ka punuar në McDonalds, por zoti Trump thotë se nuk e beson një gjë të tillë, edhe pse një shoqe e zonjës Harris i tha gazetës New York Times se i kujtohet periudha kur Kamala Harrisi punonte atje.
Pas qëndrimit të shkurtër në restorant, zoti Trump u mburr duke thënë se “kishte punuar 15 minuta”.
Më pas, ai pati një tubim zgjedhor në Lancaster të Pensilvanisë.
Të hënën zonja Harris bëri fushtarë në Pensilvani, Miçigan dhe Viskonsin ndërsa zoti Trump në qytetin Greenville, në Karolinën e Veriut.
(Zëri i Amerikës)