Harun Domi, mësuesi atdhetar që solli nga Bukureshti abetaren e parë në Kalis

Historia e Familjes me 101 djem e vajza me arsim të lartë, dhjetra prej tyre personalitete, si mësues, diplomatë, mjekë, inxhinerë e arkitektë

Dosier nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Atdhetarë të shquar si Harun Domi, mbetën pishtarë të dritës në altarin e lirisë së kombit. Kjo për faktin se ai solli në një krahinë si Luma emërndritur abetaret e Veqilharxhit, të cilat u përhapën dorë më dorë dhe u bënë pishtarë drite për shqiptarët dhe halë në sy për pushtuesit

Njëqint vjet më pare, mësuesi atdhetar Harun Jakup Domi nga Cereni i Kalasë së Dodës, pasi kishte mërguar për dhjetë vjet në Rumani, solli që atje 50 abetare, të cilat do të shpërndanin rreze drite nga shkolla e parë shqipe e Kalisit të Kukësit. Ajet Mata, ish-mësues e drejtor i kësaj shkolle pohon se: “Në historikun e shkollës Kalis, shkruhet se mësuesi Harun Jakup Domi dhe abetarja që solli, u bënë dy binjakë që mbajtën gjallë në ato vite të vështira shkollën shqipe në Kalis. Nga të gjitha trevat për rreth ka një të veçantë e cila qëndron në faktin se Harun Jakupi, jo vetëm solli abetaret nga Bukureshti, por edhe punoi aty si mësues duke përhapur dritën e diturisë. Kalisi e ka për nder kur i trokasin në fshat intelektualë si Haruni, emri i të cilit nderon krahinën ndaj nuk harrohet kurrrë”.

Po, emri i Harun Domit qëndron në pedestalin e vlerave tona kombëtare, pasi ai i përket asaj plejade të burrave të shquar të kombit që bënë histori në fushën e përhapjes së asimit. Ndaj dhe Ahmet Keça, ish-mësues e drejtor shkolle në Kalis, do të shkruante para 21 vitesh në një nga gazetat e kohës se: “Rrreze drite ishin në Kalis abetaret që solli mësuesi atdhetar Harun Jakupi nga Cereni, në vitin 1923 kur erdhi nga mërgimi i tij 10 vjeçar në Rumani”. Po ashtu edhe Enver Parllaku, ish mësues e drejtor në disa shkolla të Kukësit shpreh respekt të veçantë për kolosë të gjuhës shqipe si Harun Domi që bënë gjithshka për të dërguar abetaren tonë edhe në skajet më të largëta të Shqipërisë. Ndërsa shpreh respekt për familjen Domi, e cila përcjell e trashëgon kudo vlerat tona më të mira kombëtare, Enver Parllaku – nip i heroit të Popullit e Nderit të Kombit Rrahman Parllaku, shprehet me krenari se  “Mësuesit, historia i vesh me pavdekësi, prandaj edhe mësuesi Harun Domi, lartësohet edhe në këngën e ikonës dibrane Liri Rasha: ‘Abetarja e Naumit/ fsheh ne gjirin e Harunit/Ndezi dritën e Europës/ Deri në Kala të Dodës….”.

Po, atdhetarë të shquar si Harun Domi, mbetën pishtarë të dritës në altarin e lirisë së kombit. Kjo për faktin se ai solli në një krahinë si Luma emërndritur abetaret e Veqilharxhit, të cilat u përhapën dorë më dorë dhe u bënë pishtarë drite për shqiptarët dhe halë në sy për pushtuesit..

Harun Domi lindi më 1888 në një familje atdhetare, në fshatin Ceren – Kala e Dodës, krahinë e cila deri në vitin 1952 ishte pjesë përbërëse e Lumës, ndërsa pas këtij viti administrativisht u kalua me Dibrën. Pasi mësoi në mejtepin e Cerenit deri në nivelin e rruzhdijes dhe përjetoi pasojat e luftës ballakanike në shkatërrimin e ekonomisë, ashtu si një pjesë e madhe e blegtorëve të Kalasë së Dodës në Selanik, ndërmori rrugën e mërgimit, fillimisht në Stamboll për pak kohë e pastaj në Bukuresht të Rumanisë. Këtu ai ra në kontakt dhe u aktivizua energjikisht me grupin shqiptar të Bukureshtit që ishte ndër në aktivët për çeshtjen kombëtare shqiptare, të organizuar në Shoqërinë “Drita” që në vitin 1884, ku sekretar i saj për disa vite ishte atdhetari Mihal Grameno.

Pas ardhjes nga mërgimi 10-vjeçar në Rumani, Harun Jakupi solli me vete, jo vetëm 100 abetaret për shkollën shqipe të Kalisit, por edhe kulturën e zhvillimit të arsimit. Për këtë qëllim madhor ai bashkëpunoi ngushtë me personalitete të shquara të Lumës, si Hoxhë Mehmeti i Shtiqnit, Sheh Jahja i Fshatit e të tjerë patriot lumjanë.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1924, që u organizuan me përfaqësues nga çdo zonë në Bicaj të Lumës, Haruni ishte i zgjedhuri i dytë për krahinën e Kalasë së Dodës. Këto fakte i pohon edhe Prof.dr.Shefqet Hoxha, autor i disa studimeve historike e veprave madhore për krahinën e Lumës.

Harun Jakupi dhe breza të tërë të fisit Domi u rritëm, u edukuam dhe arsimiuam me frymën e atdhedashurise dhe te patriotizmit,  me idealet e gjakut për liri e pavarësi kombëtare. Ata ndjejnë krenari të ligjshmeqë i përksein një krahine lavdiplote si Kalaja e Dodës, bijtë e së cilës, siç shkruan Ismet Kutelaj (mësues nga Dukati i Vlorës që punpo për 6 vite në Kala): “Janë trima e patriotë, janë të kurbetit e të sakrificës, janë një popull shumë mikpritës.., janë të besës e të fjalës së kuvendit…”. Ndërsa kur bëhet fjalë për kulturën e jetësës, gazetari Llazar Vero-Kryetar Nderi i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia, shkruan se: “Kam shkuar në të gjitha krahinat e Shqipërisë si gazetar, por vetëm dy herë kam fjetur si mbret: Një natë në Voskopojë dhe herën tjetër në Kala të Dodës, ku dhoma e gjumit ishte e veçantë, e shtruar me qilim e sixhade dhe ku krevati (shtrati) shkëlqente me bardhësinë e çarçafëve e jorganin prej atlasi”. Dhe padyshim, më mirë se kudo, këto do t’i gjeje në shtëpitë e dinastisë Domi, ndër më të njohurat për nivelin arsimor e kulturor në zonën e Kalasë së Dodës.

PERSONALITETE NDËR BREZA NË TRUNGUN FAMILJAR TË HARUN JAKUP DOMIT

Proverbi popullor “Bëmë baba, të të ngjaj” jetëzohet më mirë se kudo tjetër në trungun familjar të Harun Jakup Domit. Ndaj nuk është rastësi që nga kjo familje e madhe numërohen 101 djem e vajza me arsim të lartë, mes tyre: 21 arsimtarë e pedagogë, 11 inxhinierë/ mekanikë/ elektrikë/ kompjuterikë, etj, 7 mjekë/stomatologë, 2 diplomatë/shkenca politike/ 2  juristë, 16 ekonomistë/financier, 13 persona në fushat biznes/menaxhim, 5 me gjuhë të huaj, 1 i diplomuar në psikologji, një arkitekt etj…, një armatë e tërë të shpërndarë në gjithë vendin dhe në diasporë, të orientuar në atë çfarë i pari i këtij trungu, Harun Jakup Domi bëri kryesisht me gjuhën e shkollën shqipe. Ai ishte themeli nga ku mori rrugë shkollimi i familjes deri në ditët e sotme.

Po ashtu, dy djemtë e Harunit, Shefqeti e Xhemali (që nuk jetojnë) shtruan më tej shinat e shkollimit, të ndihmuar nga babai i tyre e duke ndjekur rrugën e tij.

Dr.Shefqet Domi, emrin e të cilit mban laboratori i spitalit të Peshkopisë, ishte dhe mbetet një nga përfaqësuesit më në zë të elitës dibrane. Ndaj dhe për të thuhet se jetoi një jetë si njeri e punoi dy jetë si mjek, pasi kontrubuoi e shërbeu me devotshmëri e përkushtim maksimal ndaj pacientëve që nga Tropoja, Kukësi e Dibra, dhe pas viteve ’’90 në Tiranë, në mbrojtje të jetës e në shërbim të njerëzve. Ai la të botuara dy vepra me vlera të mëdha për vendlindjen: “Cereni – Histori e Tradita” dhe “Kalaja e Dodës – Ose Qafa e Bilbilit”. 

Një personalitet tjetër i kësaj dinastike është mësuesi e historiani Xhemal Domi. Kontributi i tij është evident në sektorin e arsimit, si mësues e drejtor i disa shkollave. Veçanërisht si historian, ai ishte evidentues dhe promovues i denjë i fakteve e vlerave arsimdashëse të Lumës. Për to ai shkroi e botoi disa artikuj si dhe studimin në tre vëllëime librash voluminoz me titullin sinjnifikativ “Dibra në hulli të historisë”. Për këto arritje ai është vlerësuar me Çetifikatën “Mësues i dalluar” dhe me Medlajen e Urdhrin “Naim Frashëri” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Po ashtu dhe me titullin “Personalitet i Qarkut Dibër”, akorduar nga Këshilli i këtij Qarku.

TAJAR DOMI NDËR VEPRIMTARËT MË AKTIVË TË SHOQATËS “BïJTË E SHQIPES”

Tajar Domi duke folur ne takim

Gjatë një takimi verën e kaluar, miku im Enver Parllaku do më fliste me krenari

të ligjshme për Shoqatën “Bijtë e Shqipes” që prej vitesh zhvillon një aktivitet intensiv në Filadelfia për promovimin e vlerave kombëtare shqiptare. Dhe ndër veprimtarët më aktivë të kësaj shoqate ai do të veçonte Tajar Domin, si kontributorin shembullor të saj. Këtë të vërtetë e pohon edhe shkrimtari kukësian Hys Hasa, i cili vlerëson potencialin intelektual, urtësinë, mençurinë e vizionin bashkohor të Tajar Domit, të shpalosura në përditshmërinë e tij si dhe në çdo aktivitet të Shoqatës “Bujtë e Shqipes”.

Tajar Halil Domi do të udhëhiqte  brezin e tretë të intelektualëve të këtij trungu. Nga një dokumentar i mirëpërgatitur prej ikononës së dokumentarit televiziv Defrim Methasani, mësojmë se Tajari ka lindur më 14 tetor të vitit 1956 në Ceren të Kalasë së Dodës dhe ka shkëlqyer në të gjitha nivelet e shkollimit. Studimet e larta i mbaroi në Fakultetin e Veterenarisë të Universitetit Bujqësor të Tiranës në vitin 1980. Pas diplomimit punoi fillimisht në ish-kooperativën bujqësore dhe më pas tre vite si mësues në Shkollën e Mesme Bujqësore të Cerenit. Në vitin 1991 zgjidhet Kryetar i Këshillit të Bashkuar Pluralist të Kalasë së Dodës dhe deri në vitin 1996 ishte zëvendëskryetar komune. Pas vitit 1997 vjen në Tiranë dhe në harkun kohor të 7 viteve (1998-2005) punoi në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, ku la gjurmët e intelektualit shembullor, të profesionistit të spikatur e kuadrit korrekt. Në moshën 52-vjeçare (në vitin 2008) ishte  përfitues i llotarisë amerikane dhe sëbashku me bashkëshorten Elhamen dhe dy djemtë Erionin dhe Arianitin jetojnë  në Fialdelfia të SHBA, ku kanë ndërtuar jetën e tyre të dytë. Gjithsesi, që nga dita që shkeli në tokën e premtuar, tik-taku i tij rrihte për atdheun, ndaj dhe u atashua në Shoqatën me emër partiotik e atdhetar “Bijtë e Shqipes”, kryetar i së cilës ishte për dy mandate. Pikërisht nga kjo shoqatë është vlerësuar si nderi i komunitetit për atë çfarë ai ka përfaqësuar me emrin e tij të spikatur sepse Tajar Domi është një emër përbashkues i diasporës shqiptare në SHBA. Prej 8 vitesh ai mban me krenari e dinjitet titullin “Ambasador për Paqen”, ndërsa është vlerësuar me Mirënjohje nga Këshilli i Qarkut Kukës.

TRE PERSONALITETE TË FAMILJES DOMI, NDERI I QARQEVE KUKËS E DIBËR

Margarita Xhepa ne takimin per personalitete te familjes Domi.

Në një ceremoni mbresëlënëse në sallën e Federatës së Paqes Universale në Tiranë, mbi 200 pjesmarrës mes te cileve drejtues dhe ish drejtues të qarqeve Dibër dhe Kukës, përjetuan emocione të takimit dedikuar familjes së madhe Domi. Ky event u organizua dhe moderua më së miri nga moderatori i shumëtalentuar Defrim Methasani, me rastin e dekorimit të tre prej tyre, Harun Domi, atdhetar dhe patriot, Xhemal Domi, ish mësues dhe drejtues në arsim dhe botues i historisë së arsimit në Dibër dhe Tajar Domi, ish kryetar dhe aktualisht kryetar nderi i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia të SHBA. Të tre u vlerësuan me titullin “Personalitet i Qarkut”: Harun Domi nga kryetari i Qarkut Kukës Abdulla Domi, ndërsa Xhemal Domi dhe Tajar Domi u vlerësuan nga Prefekti i Dibrës Nexhmedin Shehu dhe ish – kryetarja e Këshillit të Qarkut Valentina Haliti Doda.

Për vlerat e patriotit dhe atdhetarit Harun Domi foli historiani  Isa Halili, vlerat e prof. Xhemal Domit i evidentoi ish-Shefi i Arsimit Dibër Beqir Shehu, ndërsa për kontributin e vyer të Tajar Domit foli Bujar Gjoka, ish-kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”që kishte ardhur nga Filadelfia.

Madhështinë këtij takimi brezash ia shtuan artistët: Margarita Xhepa-Nderi i Kombit, ikona e këngës qytetare Liri Rasha, dekoruar nga Presidenti i Republikës me Titujt “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut, Nexhip Dida, Dritan Jashari dhe bilbili i Kalasë së Dodës Myfetrim Kupa.

Emocionuese për të pranishmit qe përshëndetja e motrës Lije Krasniqi (Domi) dhe e mbesave të Harun Domit që kishin ardhur nga Prizreni.

Ky event qe dëshmi e faktit se vlerat e vërteta të personaliteteve i dokumenton vetë historia dhe se shkrimtarët, historianët, studiuesit e gazetarët duhet të ndalen në ngjarje, resurse e personalitete të paeksploruara të historisë, siç janë ata të dinastisë Domi të Cerenit të Kalsë së Dodës, të evidentojnë e promovojnë vlerat burimore që i shërbejnë forcimit të dinjitetit dhe ardhmërisë së kombit.