Hasani: Kosova e humbi një mundësi historike, të angazhohet për të përmbushur zotimet

Tiranë, 17 maj 2024 – Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka thënë se Kosovës ka humbur mundësi historike që nuk është përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës të premten [sot], por ka porositur Qeverinë që të angazhohet për të përmbushur zotimet që i ka dhënë.

Hasani ka thënë se krahas përpjekjeve për të përmbushur zotimet, Qeveria duhet edhe të angazhohet që në të ardhmen e afërt të mbahet edhe një tjetër mbledhje e Komitetit të Ministrave të KiE-së.

“Dështimi për të vendosur për anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës të premten është mundësi e humbur historike për Kosovën që të ketë vend të merituar në tryezë dhe një zë më të fortë në formësimin e një Evrope të bashkuar dhe demokratike. Është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë. Kjo duhet të pasohet me përpjekje kolektive që në të ardhmen e afërt të mbahet një tjetër Komitet Ministrash.

Të gjithë duhet të veprojmë me shpejtësi për të përmbushur atë që i kemi borxh popullit të Kosovës!”, ka shkruar ministri i Jashtëm shqiptar në platformën “X”.

https://x.com/IgliHasani/status/1791412029720244548?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1791412029720244548%7Ctwgr%5E336cc276f0eef33d44c4fd434eff06d91ad36dc9%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.koha.net%2Farberi%2F419931%2Fhasani-kosova-humbi-mundesi-historike-te-angazhohet-per-te-permbushur-zotimet

Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se Komiteti i Ministrave të KE-së nuk e përfshiu fare në rendin e ditës çështjen e anëtarësimit të Kosovës, për shkak se disa vende kërkuan që Kosova ta pranojë draftstatutin e BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe ta çojë atë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

 Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar publikisht një gjë të tillë Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës, fillimisht, e refuzoi këtë kusht, por në një përpjekje të minutave të fundit për ta ndryshuar situatën, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, përmes një letre, e ka njoftuar Këshillin e Evropës se Kosova zotohet se do ta përgatisë draft-statutin e saj dhe do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të majit.

Në reagim pas letrës së Gërvallës, Ambasada gjermane në Prishtinë, duke u thirrur edhe në vendet e tjera të QUINT-it – SHBA-në, Britaninë, Francën dhe Italinë – ka thënë se kërkesë e tyre ishte dorëzimi i draftstatutit në Gjykatën Kushtetuese përpara takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

(r.m.)