Prishtinë, 16 janar 2024 – Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, i bëri thirrje Serbisë që të ndalojë së dërguari ushtrinë e saj në kufi me Kosovës. Ai theksoi se siguria e Kosovës garantohet nga NATO.
“U bëjmë thirrje te të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin e 21-të, nuk i çohen ushtri fqinjit më te kufiri. Askush nuk duhet të bëjë më këtë lojën që është qesharake sepse të gjithë jemi të qartë se garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës është NATO, ku dhe Shqipëria është pjesë”, tha Hasani në Prishtinë, në konferencën e përbashkët për media me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla.
Hasani, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, foli edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Ai bëri thirrje që përgjegjësit për sulmin, të cili ai e cilësoi si sulm terrorist, të përballen me drejtësinë, duke theksuar se kjo është e domosdoshme “për të parandaluar një përshkallëzim me pasoja ndoshta të pakthyeshme”.
Nikoqirja e tij kosovare, Donika Gërvalla, duke folur për Banjskën, sërish i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të sanksionojë Serbinë.
“Mungesa e ndëshkimit bart në vetvete rrezikun e përsëritjes. Prandaj, jo vetëm për hir të paqes dhe sigurisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj, por sidomos për hir të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në gjithë rajonin tonë, bashkësia ndërkombëtare duhet të mos mbetet e heshtur, por të ndëshkojë ashpër çdo tentativë për të destabilizuar vendet fqinje”, tha ajo.
Sipas ministrit Hasani, siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor “janë më të kërcënuara se në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit”.
Të dy kryediplomatët u ndalën edhe te dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Hasani tha se më 26 tetor në Bruksel, Albin Kurti, pranoi “pa kushte” që të nënshkruajë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve. Kryediplomati shqiptar tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit duhet të zbatohen.
“Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë ndërkombëtarë që të ruajnë këtë moment dhe të shtyjnë përpara drejt një përparimi përfundimtar”, tha Hasani.
Gërvalla tha se me takimin e Kryeministrit të Kosovës, AlbinKurti, me përfaqësuesit e BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, më 26 tetor, topi ka kaluar në fushën e BE-së.
“… topi ka kaluar te BE-ja dhe është radha e ndërmjetësuesve që të sjellin në tavolinë Serbinë me një qasje konstruktive për të nënshkruar marrëveshjet të cilat janë lidhur vitin e kaluar. As masat [ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës], as arsyetimet nuk mund të hedhin errësirë mbi faktin që topi që është te BE-ja duhet të lëvizë”, tha Gërvalla.
Marrëveshja bazë drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë është arritur në fillimin e vitit të kaluar, por palët nuk e kanë nënshkruar atë. Me këtë marrëveshje, palët obligohen t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
(r.m.)