Prishtinë, 2 shtator 2023 – Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka arritur për vizitë të shkurtër paraburgimi në fshatin e tij të lindjes, Burojë, të shtunën pasdite.
Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale të Kosovës, në Hagë, e ka miratuar kërkesën e Thaçit për të vizituar babain e tij, i cili është në gjendje të rënduar shëndetësore.
Gjykata në Hagë ka bërë të ditur se trupi gjykues e ka marrë kët vendim “për arsye humanitare” dhe se, gjatë vizitës, Thaçi do të jetë nën përcjellje të Policisë së Kosovës dhe policisë së EULEX-it.
“Trupi Gjykues për arsye humanitare ka udhëzuar Sekretarinë që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë, për takimin e Hashim Thaçit me familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe nën përcjelljen e Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Kjo është hera e dytë që Thaçit i lejohet vizitë paraburgimi në Kosovë. Herën e parë, atij i ishte lejuar vizita në Kosovë në muajin maj, për shkak të gjendjes së rënduar të nënës së tij.
(r.m.)