Prishtinë, 12 dhjetor 2023 – Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala, është dërguar të martën në Hagë, ku gjendet selia e Gjykatës Speciale të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar avokati i Shalës, Xhevdet Smakiqi.
“E konfirmojmë që sot në mëngjes [Haxhi Shala] është dërguar [në Hagë]”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
Smakiqi ka thënë se Shala dyshohet për “pengim të drejtësisë”.
Haxhi Shala, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është intervistuar të hënën nga prokuroriut e Dhomës së Prokurorisë së Specializuar, në zyrat e misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në Fushë Kosovë.
Të njëjtën kohë, janë zhvilluar bastisjes në shtëpinë dhe nëpronat e tij në fshatin Banjë të Malishevës.
Më 3 nëntor, me urdhër të Dhomës së Prokurorisë së Specializuar, është arrestuar ish-kryetari i komunës së Malishevës, Isni Kilaj, po si i dyshuar për “pengim të drejtësisë”.
Ndërkaq në muajin tetor janë arrestuar dhe janë transferuar në njësinë e paraburgimit në Hagë edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari. Dhoma e Prokurorisë së Specializuar ka bërë të ditur se ata akuzohen për “frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë”.
Gjatë këtij viti, në Kosovë janë kryer disa bastisje me urdhër të Dhomës së Prokurorisë së Specializuar. Ndër të tjera, hetuesit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë bastisur shtëpitë e disa prej ish-bashkëpunëtorëve të Hashim Thaçit, kur ky ishte president i Kosovës, se edhe shtëpinë e ish-drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Zyra e Prokurorisë së Specializuar ka njoftuar se bastisjet janë kryer në kuadrin e një procesi hetimor për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, por nuk ka dhënë më shumë detaje.
(r.m.)