Prishtinë, 17 mars 2025 – Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar absurd vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë që të mos e lejojë ish-presidentin Hashim Thaçi të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta dhe të bazuara mbi respektimin e të drejtave ethemelore të njeriut. Ajo ka paralajmëruar se lidhur me këtë vendim do t’i shkruajë kryetares së Gjykatës Speciale.
“Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, krejt absurde nga ajo që kuptuam nga mediat se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babës. Lidhur me këtë vendim të padrejtë do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara”, ka shkruar Haxhiu.
Varrimi i Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, do të bëhet të martën në orën 15:00, në vendlindjen e tij, në Brojë të Skënderajt.
(r.m.)