Haxhiu: Gjatë 4 vjetëve, janë ngritur 67 aktakuza për krime lufte në Kosovë kundër 174 personave

Prishtinë, 23 dhjetor 2024 – Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka lavdëruar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për për zbardhjen e krimeve të luftës të kryera nga Serbia dhe për ofrimin e drejtësisë për viktimat.

Në një konferencë për media, ajo ka thënë se qeveria, gjatë katër vjetëve të qeverisjes së saj, është fokusuar në “institucionalizimin” e kujtesës kolektive dhe në ruajtjen e dëshmive të krimeve të luftës.

“Gjatë kësaj periudhe qeverisëse kemi ndërmarrë veprime të shumta dhe janë bërë hapa të rëndësishëm për të ndërtuar themelet e një procesi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës që synon të zbardhë të vërtetën e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë dhe të ofrojë drejtësi për viktimat. Në këtë drejtim, për katër vite me radhë, ne kemi punuar me përkushtim të plotë për të institucionalizuar kujtesën kolektive dhe për të siguruar që dëshmitë e krimeve të luftës të ruhen dhe të ju transmetohen brezave të ardhshëm. Sot mund të them që kemi shënuar rezultate të rëndësishme dhe të prekshme. Fillimisht kemi themeluar dhe funksionalizuar Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Haxhiu, transmeton Telegrafi.

Ministrja Haxhiu tka thënë gjithashtu se tani është e mundur të ndiqen penalisht edhe ata që përpiqen të shmangin përgjegjësinë për krimet që i kanë kryer, pavarësisht vendndodhjes së tyre.

Ajo tha se deri më tani janë ngritur 67 aktakuza ndaj 174 personave të dyshuar dhe ka shprehur bindjen se ky numër do të shtohet me përfundimin e hetimeve që janë në proces.

“Bazuar në të dhënat nga Prokuroria Speciale dhe Departamenti për Krime Lufte, janë ngritur 67  aktakuza në 62 raste, ndaj 174 personave. Për 10 raste, gjyqet po zhvillohen në mungesë, dhe ky numër pritet të rritet”, ka thënë ajo

 “Kosova nuk do të dorëzohet kurrë përballë mohimeve dhe manipulimeve që synojnë të zbehin të vërtetën. Drejtësia do të triumfojë”, ka theksuar ajo.

Ndërkaq, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë veprime për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të luftës.

“Në këtë drejtim tashmë jemi në fazën e hartimit të mastërplanit, të projektit të madh të kompleksit memorial ‘Adem Jashari’, në Prekaz, e cila ka për synim shndërrimin e gjithë asaj hapësire në një muze të hapur ku dokumentohet njëra ndër betejat më të lavdishme e luftës së UÇK-së“, ka thënë Çeku.

(r.m.)

Comment

*