Sarajevë, 22 tetor 2021 – Kosova është e përkushtuar për luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ka thënë ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu në konferencën rajonale “Parandalimi i radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm në burgjet e Evropës Juglindore – sfidat dhe e ardhmja” që është mbajtur në Jahorinë të Bosnje dhe Hercegovinës.
“Kosova si pjesë e agjendës globale në luftën kundër Radikalizmit dhe Ekstremizmit të dhunshëm ka vendosur në objektivat e saja masa të shumta institucionale për parandalimin dhe luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, një dukuri që nuk ka lënë pa prekur asnjë nga vendet tona, por edhe shumë më gjërë”, ka thënë Haxhiu.
Ministrat dhe përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse, përmes një deklarate të përbashkët, kanë miratuar konkluzione të cilat kanë dalur nga diskutimet e konferencës, e që kanë të bëjnë me përkushtimin në luftimin dhe parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm në burgjet e Evropës Juglindore.
Ministri i Drejtësisë i Bosnjës dhe Hercegovinës, Josip Grubesa, prezentoi sfidat e luftimit të radikalizimit dhe ekstremizmit dhe gjithashtu, potencoi rëndësinë e luftimit të tij në të ardhmen.
Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian dhe ai i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut kanë vlerësuar punën e institucioneve të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e radikalizmit.
Kosova ka miratuar Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit kundër Terrorizmit (2018-2023) e cila është në pajtueshmëri me Strategjinë e BE-së kundër terrorizmit.
(REL)