Prishtinë, 5 prill 2024 – Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar pamje nga vila luksoze e Milan Radoiçiqit, udhëheqësit të grupit të armatosur që kreu sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës.
“Kjo është jeta e një terroristi që për vete bën jetë prej milioneri ndërkohë që mjet të funksionimit i ka frikësimin dhe kërcënimin e komunitetit ku jeton në mënyrë që t’i shërbejnë atij”, ka shkruar ndër të tjera minsitrja Haxhiu, në njoftimin që e shoqëron videoregjistrimin e vilës.
Vila luksoze e Radojçiqit buzë Liqenit të Ujmanit u konfiskua me vendim të qeverisë, të enjten.
Videoregjistrimet e publikuara nga min istrja Haxhiu janë bërë të premten, gjatë vizitës së saj dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Dje publikuam dokumentin e listës se aseteve të konfiskuara dhe sekuestruara të terroristit Radojçiq, sot nga afër dhe konkretisht pamë luksin në të cilin ka jetuar ky kriminel. Kjo është jeta e një terroristi që për vete bën jetë prej milioneri ndërkohë që mjet të funksionimit ka frikësimin dhe kërcënimin e komunitetit ku jeton në mënyrë që t’i shërbejnë atij.
Kjo gjë ka ndërruar, qytetarët atje kanë filluar të çlirohen nga ky terrorist dhe grupi i tij që kanë punuar vetëm për veten në shërbim të regjimit në Beograd. Republika e Kosovës nuk trembet nga terrorizimi dhe është garantuese e jetës së qetë për të gjithë qytetarët pa dallim.
Jemi shoqëri demokratike dhe me vlera të qarta perëndimore ku terrori, frikësimi, shantazhi dhe ilegaliteti nuk kanë vend”, ka shkruar ministrja Haxhiu.
https://www.facebook.com/100001824020047/videos/1166197428072496/
Perveç vilës në Liqenin e Ujmanit, Radojçiqit iu konfirmuan edhe mbi 30 automjete, një banesë, një restorant dhe pasuri të tjera.
(r.m.)