Haxhiu: Rreth 16 milionë euro janë shpenzuar për të akuzuarit në Gjykatën Speciale

Prishtinë, 19 janar 2023 – Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka vazhduar mbulimin e shpenzimeve për ekipet e mbrojtësve të ish-luftëtarëve të UÇK-së që janë të akuzuar nga Dhomat e Prokurorisë Speciale të Kosovës në Hagë.

Ajo ka bërë të ditur se, deri tani, nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar rreth 16 milionë euro për mbrojtjen dhe shpenzimet e vizitave të familjarëve të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Me qëllim të ofrimit të transparencës dhe llogaridhënies në lidhje me shpenzimin e parasë publike, deri tani për periudhën tetor 2020 – dhjetor 2022 nga buxheti i Republikës së Kosovës janë shpenzuar rreth 16 milionë euro për mbrojtjen dhe shpenzimet e vizitave të familjarëve të ish-ushtarëve të UÇK-së”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka shpjeguar se mbulimi i këtyre shpenzimeve bëhet konform Nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/L-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara.

Postimi i plotë:

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Drejtësisë ka vazhduar me mbulimin e shpenzimeve për ekipet mbrojtëse të ish-luftëtarëve të UÇK-së që janë të akuzuar nga ZPS.

Mbulimi i këtyre shpenzimeve bëhet konform Nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/L-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Me qëllim të ofrimit të transparencës dhe llogaridhënies në lidhje me shpenzimin e parasë publike, deri tani për periudhën tetor 2020 – dhjetor 2022 nga buxheti i Republikës së Kosovës janë shpenzuar rreth 16 milionë euro për mbrojtjen dhe shpenzimet e vizitave të familjarëve të ish-ushtarëve të UÇK-së.

Si Ministri e Drejtësisë mbetemi të përkushtuar në zbatimin e përgjegjësive ligjore.

(r.m.)