Heqja e gjinjve si masë parandaluese

Ylli i Hollivudit, Angelina Jolie hoqi me operacion të dy gjinjtë nga frika e sëmundjes nga kanceri. Amputimi si masë parandaluese nuk është gjithmonë i domosdoshëm, sipas ekspertëve.

Është frika e madhe nga sëmundja e kancerit të gjirit që i bën gratë të heqin të dy gjinjtë – një masë kjo parandaluese. Në të ashtuquajturën “mastektomi”, hiqet një masë indesh për t’u zëvendësuar me indet dhjamore të vetë trupit apo me silikon. Ylli i hollivudit, Angelina Jolie vendosi për një operacion radikal, por ajo nuk është personi i parë i njohur që e ka bërë një hap të tillë. Sharon Osbourne, gruaja e këngëtarit të rock-ut, Ozzy Osbourne e ka bërë një operacion të tillë vitin e shkuar. Aktorja Christina Applegate, e njohur në rolin e Kelly Bundy-t në serinë “Një familje e tmerrshme dhe e mirë”, e ka bërë këtë hap në vitin 2008. Por që të dyja, në dallim nga Angelina Jolie, ishin sëmurur më parë nga kanceri. Edhe në Gjermani vendosin gjithnjë e më shumë paciente për një operacion parandalues, thotë Susanne Briest, mjeke dhe zëdhënëse e Qendrës së Kancerit në Universitetin e Lajpcigut.

 

Testi i gjeneve për më shumë qartësi

 

Sipas institutit gjerman të Ndihmës ndaj Kancerit çdo vit diagnostikohen me këtë sëmundje, 74.000 gra. Sëmundja e dytë në radhë që shkakton vdekjen tek gratë. Rreth 5% syresh janë të prekura gjenetikisht. Prandaj grave që kanë në familje tre apo më shumë raste të sëmundjes nga kanceri i gjoksit në familje, mjekët iu rekomandojnë testin gjenetik. Rezultati bën të qartë nëse personi testues ka në gjak gjenin BRCA1 apo BRCA2. Në rast se ky test është pozitiv, probabiliteti i sëmundjes nga kanceri i gjirit është i lartë.

Për shumë gra ky test gjenetik është një mundësi për të kuptuar arsyen e lindjes së tumoreve. “Unë u sëmura para 15 vitesh për herë të parë nga kanceri. Asokohe vendosa për një test gjenetik, sepse doja të dija më shumë për sëmundjen time”, thotë Andrea Mahnken në bisedë me Deutsche Welle-n. Për shkak se ajo nuk ishte bartëse e mutacioneve gjenetike, nuk u shtrua çështja e heqjes së gjinjve.

Këshilli Gjerman i Etikës është prononcuar në fund të prillit për mundësitë e testeve gjenetike. Aty theksohet se shumë teste janë gjasa që eventualisht nuk do të bëhen kurrë realitet. Christiane Woopen, drejtuese e Këshillit të Etikës e sheh me sy kritik këtë hap të yllit hollivudian, Angelina Jolie. Kjo nuk është zgjidhja që mund të propagandohet për çdokënd, sipas saj. Ndërsa mjekja Mahnken e shikon këtë hap si veprimin e duhur. Ai i ndihmon gratë e tjera që të mos kenë frikë nga vendime të tilla, thotë Mahnken.

 

Operacion me ruajtjen e gjirit

 

Gjithnjë e më shumë femra, bartëse të gjenit të rrezikshëm vendosin për heqjen e gjinjve. Sipas klinikës universitare në Dyseldorf, madje 60-70% e tyre futen në një operacion të tillë. Metodat e përparuara dhe kirurgjia kozmetike e mbështesin atë. Nga ana tjetër, pas heqjes së gjinjve ulet me 5% rreziku i kancerit të gjirit. Në shumë raste pas heqjes së masës indore vendosen implantate. Më parë pacientja vendos me mjekun nëse do të duhet të ruhet koka e gjirit. Në një rast të tillë, duhet të ruhet edhe një pjesë e gjëndrrave, gjë që e rrit disi rrezikun e kancerit. Ndërsa implantatet mund të vendosen lehtë, por megjithatë duhet të mbahen nën kontroll, që të mos izolohen si një trup i huaj nën lëkurë. Një pjesë e grave vendos prandaj për riformimin e gjoksit me indet dhjamore të vetë trupit, që merren nga pjesë të tjera të tij. Por për këtë metodë duhen bërë disa operacione.

Shumë mjekë megjithatë këshillojnë nga heqja dorë nga një hap i tillë, kaq radikal, sepse ai është më shumë se një operacion kirurgjikal, i cili duhet të përballohet edhe nga ana psikike. Andrea Hahne, drejtuese e rrjetit BRAC, që ndihmon gratë në rastet e shfaqjes së kancerit thotë se “në Amerikë vendoset më lehtë për testet gjenetike, si edhe për operacionet pasuese, krahasuar me Gjermaninë.”

Por edhe vizitat e rregullta tek gjinekologu apo radiografitë e ndryshme i ndihmojnë gratë. Në rast se kanceri diagnostikohet herët, shanset e shërimit janë shumë të mira. Siguracionet shëndetësore në Gjermani, në rast të një testi gjenetik pozitiv, marrin përsipër shpenzimet për amputimet parandaluese apo riformimin e gjoksit, si edhe një program intensiv të kontrolleve.

Mjekët paralajmërojnë nga marrja e vendimeve të shpejtuara pas bërjes publike të rastit Jolie. Frika për rrezikun e sëmundjes nuk është këshilltar i mirë. Më e rëndësishme është një jetesë e shëndetshme. Tek faktorët që rrisin rrezikun e kancerit të gjirit, krahas gjeneve, bën pjesë edhe mosha, alkooli, duhani apo mungesa e kontrolleve parandaluese.