Hezbollahu lëshon mbi 100 raketa ndaj Izraelit, rritet frika për luftë

Jerusalem / Bejrut, 22 shtator 2024 – Grupi Hezbollah i Libanit – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – lëshoi mbi 100 raketa në orët e hershme të mëngjesit së 22 shtatorit drejt një zone më të gjerë dhe më thellë brenda Izraelit verior. Disa prej raketave ranë pranë qytetit Haifa, ndërsa palët duket se po shkojnë drejt një lufte në shkallë të plotë pas muajsh tensionesh të përshkallëzuara.

Breshëria e raketave gjatë natës shkaktoi sirena alarmi në të gjithë veriun e Izraelit, duke i detyruar mijëra njerëz të futen në strehimore. Ushtria izraelite tha se raketat ishin lëshuar “drejt zonave civile”, duke sinjalizuar një përshkallëzim të mundshëm, pasi më parë raketat ishin përqendruar kryesisht në objektiva ushtarake.

Shërbimi i shpëtimit “Magen David Adom” i Izraelit tha se trajtoi katër persona për plagë nga predhat, përfshirë një burrë 76-vjeçar që u plagos në Kiryat Bialik, një vendbanim pranë Haifës, ku ndërtesat u dëmtuan dhe makinat u dogjën.

Ky sulm me raketa erdhi pas një sulmi ajror izraelit në Beirut më 20 shtator, që vrau të paktën 37 persona, përfshirë një nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut, si dhe gra dhe fëmijë. Hezbollahu ishte ende duke u përballur me një sulm të sofistikuar që shkaktoi shpërthimin e mijëra pajisjeve personale vetëm disa ditë më parë.

Ushtria izraelite tha se kishte kryer një valë sulmesh në jug të Libanit gjatë 24 orëve të fundit, duke goditur rreth 400 objektiva militantësh, përfshirë lëshues raketash. Zëdhënësi ushtarak izraelit, nënkolonel Nadav Shoshani, tha se këto sulme kishin parandaluar një sulm edhe më të madh.

“Mijëra civilë janë nën zjarr në pjesën më të madhe të Izraelit verior. Ata kaluan natën dhe tani mëngjesin në strehimore bombash”, tha ai. “Sot pamë zjarr që arriti më thellë në Izrael se më parë”.

Izraeli dhe Hezbollah kanë shkëmbyer zjarr që nga shpërthimi i luftës në Gaza gati një vit më parë, kur grupi militant filloi të lëshonte raketa në solidaritet me palestinezët dhe aleatin e tij të mbështetur nga Irani, Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja. Luftimet kanë vrarë dhjetëra njerëz në Izrael, qindra në Liban dhe kanë zhvendosur dhjetëra mijëra në të dyja anët e kufirit.

Asnjëra palë nuk besohet se kërkon një luftë. Por javët e fundit, Izraeli ka zhvendosur fokusin nga Gaza në Liban dhe është zotuar të rivendosë qetësinë në kufi që qytetarët izraelitë të mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Hezbollah ka thënë se do të ndalojë sulmet e tij vetëm nëse ka një armëpushim në Gaza, që duket gjithnjë e më i vështirë pasi bisedimet e gjata të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari janë bllokuar vazhdimisht.

Lufta në Gaza filloi me sulmin e Hamasit më 7 tetor në Izrael, ku militantët palestinezë vranë rreth 1.200 njerëz dhe morën rreth 250 pengje. Ata ende mbajnë rreth 100 pengje, një e treta e të cilëve besohet të jenë të vdekur. Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se mbi 41.000 palestinezë janë vrarë. Nuk thotë sa prej tyre ishin luftëtarë, por thekson se mbi gjysma e të vdekurve janë gra dhe fëmijë.

Mediat izraelite raportuan se raketat e lëshuara nga Libani të dielën herët u kapën në zonat e Haifës dhe Nazaretit, të cilat janë më në jug se shumica e zjarrit të raketave deri më tani. Izraeli anuloi shkollat në të gjithë veriun, duke thelluar ndjenjën e krizës.

Hezbollah tha se kishte lëshuar dhjetëra raketa, të llojeve Fadi 1 dhe Fadi 2 — një lloj i ri armësh që grupi nuk e kishte përdorur më parë — drejt bazës ajrore Ramat David, në juglindje të Haifës, “në përgjigje të sulmeve të përsëritura izraelite që kishin në shënjestër rajone të ndryshme të Libanit dhe shkaktuan rënien e shumë dëshmorëve civilë”.

Hezbollah është zotuar të hakmerret ndaj Izraelit për një valë shpërthimesh që goditën pajisjet e anëtarëve të tij, përfshirë pejxherë, të martën dhe të mërkurën, duke vrarë të paktën 37 persona — përfshirë dy fëmijë — dhe duke plagosur rreth 3.000 të tjerë. Sulmet janë fajësuar gjerësisht për Izraelin, i cili nuk ka konfirmuar apo mohuar përgjegjësinë.

Të premten, një sulm ajror izraelit rrëzoi një ndërtesë tetëkatëshe në një lagje të dendur të Beirutit, në periferi të jugut, ndërsa anëtarët e Hezbollahut po takoheshin në bodrum, sipas Izraelit. Ndër të vrarët ishte Ibrahim Akil, një zyrtar i lartë i Hezbollahut që komandonte njësinë speciale të forcave të grupit, të njohur si Forca Radwan.

Ministri i Shëndetësisë i Libanit, Firass Abiad, u tha gazetarëve të shtunën se të paktën shtatë gra dhe tre fëmijë u vranë në sulmin ajror të së premtes. Ai tha se 68 persona të tjerë u plagosën, përfshirë 15 që u shtruan në spital.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në Bejrut që nga lufta njëmuajshe e vitit 2006 midis Izraelit dhe Hezbollahut, dhe numri i viktimave mund të rritet, me 23 persona ende të zhdukur, tha një zyrtar qeveritar.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se sulmi prishi zinxhirin e komandës së grupit duke eliminuar Akilin, të cilin ai e fajësoi për vrasjen e izraelitëve.

Akil kishte qenë në listën më të kërkuar të SHBA-së për vite, me një shpërblim prej 7 milionë dollarësh, për rolin e tij të dyshuar në bombardimin e ambasadës së SHBA-ve në Beirut në vitin 1983 dhe marrjen e pengjeve amerikane dhe gjermane gjatë luftës civile në Liban në vitet 1980.

(Radio Evropa e Lirë)