Hidhet në erë makina e kreut të PD-së së Berishës në Vaun e Dejës

Tiranë, 11 prill 2023 – Makina e Bernard Ndrecës, kryetar i fraksionit të Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha në Vaun e Dejës, u hodh në erë të martën në mëngjes. Ndreca dhe e ëma shpëtuan pa lëndime.

Në pamjet e kamerave të sigurisë së shtëpisë së Bernard Ndrecës në fshatin Pacram të Vaut të Dejës shihet se makina shpërtheu sapo u vu në lëvizje nga Ndreca.

Fatmirësisht Ndreca dhe e ëma që ndodhej në oborrin e shtëpisë në momentin e shpërthimit shpëtuan pa lëndime.

Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm një muaj para zgjedhjeve lokale dhe Ndreca e lidhi atë me aktivitetin e tij politik.

“Nuk është e vendosur mina për Benard Ndrecën, por i është vendosur mina kryetarit të PD-së së degës së Vaut të Dejës dhe kjo dihet haptas, sepse këto janë të mirë organizuar për një sulm të tillë”, tha Ndreca për gazetarët pas ngjarjes.

Policia njoftoi se i kishte filluar hetimet për ngjarjen dhe i kishte siguruar edhe pamjet e vendosjes së eksplozivit. Pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë tregojnë dy persona që e vendosin eksplozivin poshtë makinës.

Deputetja Elisa Spiropali, e cila është përfaqësues e PS-së në Qarkun e Shkodrës, e dënoi incidentin dhe kërkoi ndëshkimin e autorëve, por ajo i akuzoi kundërshtarët se po e përdornin ngjarjen politikisht, siç tha, “për të rritur kapitalin politik që tashmë u ka shterur”.

Edhe kandidatja e fraksionit të Partisë Demokratike të drejtuar nga Enkeled Alibeaj, Klomentina Drini, e dënoi incidentin dhe bëri thirrje për fushatë të qetë e qytetare.

Veç Drinit, në Vaun e Dejës garojnë edhe ish-kryebashkiaku Zef Hila, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” të Partisë së Lirisë dhe fraksionit të demokratëve të udhëhqur nga Berisha, dhe Kristian Shkreli, kandidat i Partisë Socialiste.

(Repoter.al)