HIJA E GRUSHTIT TË SHTETIT NË RUSI

Nga Ruben Avxhiu

Kushdo që e ka ndjekur luftën për pushtimin e Ukrainës, apo ndërhyrjet ushtarake të Rusisë në Siri e në shumë vende afrikane e di mirë se kush është Grupi “Wagner”.

Një strukturë paraushtarake mercenarësh, e përbërë kryesisht nga rusë, që tani po provon të kryejë një grusht ushtarak në Moskë.

Është historia e Frankeshtejnit dhe përbindëshit të krijuar nga asgjëja që të del nga dora.

NJË HISTORI RUSE NË UKRAINË

Dy nga gjërat që shfaqi lufta në Ukrainë ishte paaftësia e ushtrisë ruse dhe efektiviteti i mercenarëce.

E para, ishte shokuese për opinionin ndërkombëtar se Rusia është parë rregullisht si fuqia më e madhe në botë pas SHBA-së.

Mirëpo, operacioni i saj në Ukrainë ishte një dështim i madh. Një arsye e fortë – duhej ta kishim ditur mbase – është korrupsioni i përzierë me nepotizëm. Në ushtri bën karrierë kush ka miq dhe kush hyn në lojën e pasurimit në kurriz të bixhetit. Ushtarët e thjeshtë e kishin gjithashtu moralin e ulët. Ishte një luftë që nuk është shpallur zyrtarisht si “luftë”. Shumica e rusëve nuk duan të luftojnë. Të gjithë ata që kanë para, privilegje, apo të njohur i nxorrën djemtë nga Rusia në kohë për t’iu shmangur shërbimit të detyrueshëm.

Luftë për çfarë?

Nga ana tjetër, mercenarët e Wagnerit nuk i ka dërguar njeri me zor në front. Ata janë aty sepse për ta është një punë me pagesë. Trupat e tyre janë shtuar me dhjetëra mijëra të burgosur ordinerë që u është dhënë rasti të fitojnë lirinë duke luftuar në Ukrainë. Ndryshe nga ushtarët rusë që janë në front me detyrim, me lotë në sy, Wagneristët e shohin si mundësi për të ndryshuar jetën.

Wagneristët vinin me përvojë lufte nga Siria dhe Afrika. Ata nuk u druhen gjyqeve të krimeve të luftës, nuk kanë frikë nga ndëshkimi politik i familjeve, nga autoritetei i oficerëve të korruptuar rusë.

Ata kanë vrarë, madsakruar, e përdhunuar ukrainas. Kanë vjedhur e bërë tregëti me mallra që grabisin aty ku shkojnë. Radhët e tyre janë të hapur për këdo psikopat nga e gjithë bota që do të bashkohet.

Nëse Rusisë i ka ecur diku lufta në Ukrainë, ka qenë vetëm aty ku ka luftuar Wagner. Lufta nuk fitohet me mercenarë, por janë ndihmë e madhe.

PËRBINDËSHI DEL NGA ZINXHIRËT

Ka një arsye se pse vendet nuk e copëtojnë autoritetin ushtarak të vendit dhe forcat e armatosura kanë një zinxhir të qartë komandimi.

Më shumë se një vit pas luftës në Ukrainë, një konflikt i hapur është krijuar mes grupit Wagner dhe Ushtrisë së Rusisë si dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Ka qenë gjithmonë në stilin e Putinit të mbante rreth tij grupe konkurruese. Është normale në politikë, e akoma më shumë në diktaturë.

Herë pas here, njëri grup humbet e fshihet. Kjo ka ndodhur edhe në diktaturën e Enver Hoxhës.

Në këtë rast, papritur Wagner ose nga dëshpërimi, ose nga ambicja e mednjemadhësia ka vendosur të spastrojë Moskën dhe ushtrinë ruse nga “të korruptuarit”. Në qendër të sulmit është ministri i Mbrojtjes dhe drejtuesit kryesorë të ushtrisë dhe të forcave të sigurimit.

Mbrëmë në darkë, deklaratat e kreut të grupit “Wagner”, Jevgeni Prigozhin, u bënë shumë të ashpra. U deklarua nisja drejt Moskës.

Është vështirë të gjesh se cili informacion që vjen nga Rusia është i vërtetë, por nuk kanë qenë të paktë ata që kanë besuar se brenda natës, ushtria ruse do t’i asgjësonte puçistët.

Në fakt, mëngjesi erdhi. Rostovi është në duart e Wagnerit dhe autokolonat ushtarake vazhdojnë rrugën drejt Moskës.

Me të drejtë disa kanë komentuar se pse një ushtri që është treguar kaq e dobët në Ukrainë do të gjejë tani forcën dhe moralin që të ndalë këtë grup kriminelësh e luftëtarësh profesionistë. Në emër të kujt? Ushtarët rusë i urrejnë gjeneralët e komandantët e tyre. I urrejnë pushtetarët e korruptuar. Nuk do të vriten për ta nëse pllakos kaosi.

PUTINI FOLI MË NË FUND – “NATO-ja Aziatike” i kthen kurrizin

Deri sot në mëngjes, disa arsyetonin se në fakt, Wagner është mjet që po përdoret nga Putini për të spastruar ushtrinë dhe Kremlinin.

Sot, Putin më në fund ka folur. E ka shpallur Prigozhinin “tradhëtar” dhe ka thënë se ka autorizuar të gjitha strukturat e shtetit që t’u japin dënimin e merituar puçistëve.

Nëse dje nuk dukej si grusht shteti por si luftë klanesh, brenda diktaturës, me këtë deklaratë, Putini e ktheu nismën e Wagnerit në grusht shteti. Tani nëse forcat e Jevgeni Prigozhinit fitojnë, Putini do të rrëzohet.

Presidenti i Rusisë i ka bërë thirrje  CSTO-së, aleancës së vendeve sovietike të cilën e krijoi si përgjigje ndaj NATO-s. Kjo “NATO” ish-sovietike, aziatike që ka afruar edhe Kinën dhe Turqinë nga ana tjetër ka refuzuar të bëhet pjesë e zhvillimeve, duke e cilësuar si “punë të brendshme” të Rusisë.

Nëse ky shkëmbim është i vërtetë, atëhere Putini është në situatë vërtet të vështirë.

Moska ka që mbrëmë që ndodhet në shtetrrethim, me postoblloqe ushtarake në pikat kryesore të kryeqytetit.

UKRAINA NDJEK NGJARJET

Prigozhini ka deklaruar se forcat e tij vazhdojnë ta mbajnë frontin në Ukrainë dhe kjo nuk është një braktisje e interesave të Rusisë por një akt për t’i shpëtuar ato.

Nga ana tjetër, ai ka vënë në dyshim arsyet e vërteta se pse Putin vendosi të ndërhyjë në Ukrainë.

Kjo lëvizje nga ana e tij vjen në një moment kur po pritej ofensiva e ushtrisë ukrainase mbas mbarimit pa fitues të betejës së stërzgjatur në Bakhmut, ku faktori kryesor ishte grupi Wagner.  

Ukrainasit po i ndjekin zhvillimet me shpresë së ky konflikt brenda Rusisë mund të sjellë fundin e luftës së kotë.

“Çdokush që zgjedh rrugën e të keqes, do të shkatërrohet vetë”, tha në deklaratën e tij pak më parë, Presidenti Zelenski. “Sa më gjatë që të mbajë Rusia trupat e saj dhe mercenarët në tokën tonë, aq më shumë kaos, dhimbje, dhe probleme do të ketë për veten e saj më vonë. Është gjithashtu e qartë se Ukraina është e aftë që ta mbrojë Europën nga përhapja e kaosit dhe sëmundjes ruse”.

Askush nuk e di me siguri se çfarë mund të sjellë në fund ky konflikt mes vetë rusëve për Ukrainën dhe për botën.

Nuk ka garanci se Prigozhin do të jetë një president më i arsyeshëm se Putini. As nuk dihet nëse një grup sadoi aftë ushtarakisht mund të arrijë të ndryshojë pushtetin dhe më e rëndësishmja të vazhdojë ta mbajë atë në një vend aq të madh dhe të ndërlikuar si Rusia.

Kaosi është shpesh më i rrezikshëm sesa diktatura. Sidomos në një vend me armë bërthamore. Ukraina me gjysmën e vendit në luftë e në kontakt të drejtpërdrejtë më Rusinë shpreson për më mirë, por ka arsye të druhet.

Gjithkund, në Ballkan, Europë e botë, po ndiqen zhvillimet me kujdes.