Beograd, 22 gusht 2023 – Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha në një intervistë me programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe qasja Kosovës në strukturat ndërkombëtare janë thelbësore për një të ardhme më të qetë mes Kosovës dhe Serbisë.
Intervista e mëposhtme është redaktuar për të qenë më e përmbledhur dhe më e qartë.
Zëri i Amerikës: Presidenti serb (Aleksandar) Vuçiç takoi presidentin ukrainas Volodymir Zelensky këtë mëngjes dhe ai e përshkroi takimin e tyre si një bisedë të sinqertë dhe miqësore. Por, nga ana tjetër, mbrëmë mediat serbe raportuan duke cituar median ruse se zoti Vuçiç nguli këmbë që sanksionet ndaj Rusisë të mos jenë në deklaratën përfundimtare të takimit në Athinë. A e shihni ju këtë si një veprim balancues të tij?
Christopher Hill: Epo, duhet ta pyesni zotin Vuçiç, por unë do t’ju thosha se qëndrimi ynë për sanksionet është shumë i qartë. Ne mendojmë se të gjithë duhet t’u bashkohen sanksioneve. Sigurisht që vendet që aspirojnë t’i bashkohen Evropës duhet t’u bashkohen sanksioneve dhe ne mendojmë se është gjëja e duhur për të bërë. Çështja, ju e dini, është se ka shumë vende të vogla që janë pjesë e sanksioneve dhe kjo ka qenë e dëmshme për to, por e bënë këtë sepse është në interes të së mirës më të madhe dhe grupit më të madh që është Bashkimi Evropian. Kështu që ne do të dëshironim të shihnim Serbinë të bënte të njëjtën gjë, t’u bashkohej sanksioneve dhe ta bënte atë pjesë të ecjes drejt të qenit në sistemet euro-atlantike. Sa i përket takimit me presidentin Zelensky, ishte vërtet pamje e mirë. Unë isha jashtëzakonisht i kënaqur që pashë presidentin serb dhe presidentin ukrainas të ulur së bashku, pasi Serbia dhe Ukraina kanë një histori të gjatë, marrëdhënie të mira. Ndaj mendoj se ishte shumë e rëndësishme që ata të dy të uleshin, të shkëmbenin pikëpamje dhe të diskutojnë se cila do të jetë e ardhmja e Evropës, sepse do të ketë ndryshime. Kjo çështje nuk do të vazhdojë përgjithmonë dhe duhet të shohim se si do të zhvillohen gjërat. Unë besoj se këta muajt e fundit kanë qenë shumë të rëndësishëm për popullin serb për të parë se çfarë është në të vërtetë Rusia dhe faktin se Serbia me të vërtetë duhet të lëvizë drejt perëndimit dhe të jetë në sistemet euro-atlantike.
Zëri i Amerikës: Kur flasim për qasjen e Serbisë ndaj Perëndimit dhe Rusisë, Shtete e Bashkuara sanksionuan drejtorin e Agjencisë së Sigurisë, Alexander Vulin së fundmi, por ai ende është në postin e tij dhe ky është njeriu me lidhje të ngushta me Rusinë. A jeni i zhgënjyer?
Christopher Hill: Epo, e urrej ta filloj këtë intervistë në një numër fushash ku ne nuk pajtohemi me autoritetet serbe. Por, po, ne kemi një problem me të. Ne kemi një problem me rreshtimin e tij dhe është pikëpamja jonë që ai duhet të sanksionohet. E kuptoj që kjo nuk është një pikëpamje e përbashkët këtu në Serbi, por mendoj se pikëpamja jonë është shumë e qartë dhe ne e kemi bërë të qartë këndvështrimin tonë.
Zëri i Amerikës: A jeni i zhgënjyer?
Christopher Hill: Epo, ju e dini, i zhgënjyer do të thotë në krahasim me pritjet tuaja. Më lejoni të them vetëm se unë jam realist dhe vazhdoj punën time. Dhe detyra ime është të promovoj marrëdhëniet e SHBA-së dhe Serbisë, veçanërisht duke i bërë Serbinë dhe SHBA-në të jenë së bashku.
Zëri i Amerikës: Zoti Vuçiç ka thënë shpesh se këto sanksione u vendosën vetëm për shkak të lidhjeve të Vulinit me Rusinë dhe gjithashtu sepse Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve ndaj Moskës, ndërsa pjesa tjetër e akuzave për trafik droge dhe korrupsion janë disi dytësore ose të pabaza. Cili është mendimi juaj për këtë?
Christopher Hill: Më lejoni të them se ne vendosëm sanksione ndaj zotit Vulin për shkak të zotit Vulin dhe mendoj se kemi mbajtur marrëdhënie mjaft të mira në përgjithësi. Sanksionet tona nuk janë kundër institucioneve. Ato janë kundër një individi. Ky është një proces i zhvilluar në Uashington, jo këtu në ambasadë. Por me sa kuptoj unë, ishte një proces shumë i drejtë ku ata panë shumë nga veprimtaritë e tij dhe morën këtë vendim. Përsëri, kjo nuk është diçka që përfshinë institucionet dhe kështu ne vazhdojmë të punojmë shumë ngushtë me Serbinë në fushat ku mund të gjejmë marrëveshje.
Zëri i Amerikës: Por, nuk mund të jetë vetëm vendim politik siç thotë shpesh zoti Vuçiç?
Christopher Hill: Unë mund t’ju siguroj se njerëzit që e bëjnë këtë në Uashington e bëjnë me shumë kujdes dhe ata i peshojnë provat dhe marrin vendime mbi këtë bazë. Përtej kësaj, nuk mund t’ju them asgjë.
Zëri i Amerikës: Disa dhjetëra ligjvënës nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane kanë nënshkruar një letër duke i kërkuar Perëndimit të ndryshojë qasjen ndaj Serbisë, duke pretenduar se politika aktuale nuk po funksionon dhe Perëndimi është disi i butë ndaj presidentit Vuçiç kundruall çështjes së Kosovës. A e shihni politikën tuaj të suksesshme duke pasur parasysh se kriza në Kosovë është përshkallëzuar vitin e kaluar, ndërsa Serbia nuk është afruar më afër BE-së apo marrëveshja Ohrit nuk zbatohet sikurse edhe propozimi evropian. Ku është suksesi këtu?
Christopher Hill: Para së gjithash, ju keni politika jo vetëm për suksesin e tyre, por për shkak të politikave të duhura që duhet të keni. Dhe ne peshojmë interesat tona në formulimin e një politike dhe vazhdojmë me idenë se kjo është gjëja e duhur për t’u bërë nga vetë qeveria jonë. Padyshim që do të dëshironim që situata në lidhje me dialogun e Brukselit të lëvizte shumë më shpejt. Ne kemi qenë shumë mbështetës për z. (Miroslav) Lajcak sepse mendojmë se është qasja e duhur dhe do të dëshironim të shihnim një marrëveshje të bazuar në krijimin e një Asociacioni të komunave serbe në mënyrë që serbët që jetojnë në Mitrovicën veriore dhe në Kosovë të mund ta dinë vërtet se çfarë janë rregullat e lojës janë dhe si do të jetë jeta e tyre. Kjo është shumë e rëndësishme. Ne jemi një vend që e njeh Kosovën dhe dëshirojmë ta shohim një Kosovë që është në gjendje të anëtarësohet në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Mendojmë se kjo është më e mira për Kosovën dhe sinqerisht, më e mira për gjithë qëndrueshmërinë e rajonit. Pra, kjo është politika jonë dhe mendoj se është politika e duhur. Pavarësisht nëse kemi pasur sukses apo jo, loja nuk ka mbaruar, sigurisht, disa gjëra duhet të ndodhin, por unë mendoj se është qasja e duhur dhe ne jemi shumë krenarë që po mbështesim Bashkimin Evropian në këtë përpjekje.
Zëri i Amerikës: Pra, cila është përgjigja juaj ndaj këtyre kritikave?
Christopher Hill: E dini, një nga gjërat më të mira të demokracisë është se të gjithë kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre dhe me gjithë respektin, nuk pajtohem me shumë nga ato pika. Unë, e kuptoj që këto janë pikëpamje të vjetra, këto janë pikëpamje të vjetra të këtyre njerëzve. Unë respektoj të drejtën e tyre për të pasur këto pikëpamje. Por për sa i përket asaj që duhet të bëjë qeveria amerikane, çfarë duhet të bëjë Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera, mendoj se po bëjmë gjënë e duhur dhe gjithmonë vlerësoj këshillat e njerëzve të ndryshëm, por nuk mund të them se i pranoj ato gjithë kohën.
Zëri i Amerikës: Sipas jush, a po destabilizon rajonin zoti Vuçiç siç thuhet në letër? Një nga shembujt e fundit ishte deklarata e ministrit serb të Mbrojtjes i cili tha se Maqedonia e Veriut dhe Malit të Zi mund të futen në telashe për shkak të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo deklaratë u perceptua si një kërcënim nga disa si një përpjekje për destabilizim të rajonit?
Christopher Hill: Unë nuk e shoh këtë si një përpjekje për të destabilizuar rajonin dhe sigurisht nuk mendoj se zoti (Milosh) Vuçeviq ka pasur për qëllim që kjo të kuptohet kësisoj. Unë besoj dhe do të doja të shihja marrëdhënie më të mira mes vendeve të Ballkanit. Mendoj se Ballkani i Hapur është një përpjekje shumë e fortë dhe serioze në këtë drejtim. Unë mendoj se procesi i Berlinit është gjithashtu. Mendoj se është shumë e rëndësishme që vendet të jenë në gjendje të punojnë së bashku, të krijojnë modele shumë të nevojshme bashkëpunimi dhe të ecin përpara. Unë do të doja të shihja tani, për shembull, ne kemi Ballkanin e Hapur i cili, mendoj, ka qenë shumë i dobishëm për marrëdhëniet Serbi- Shqipëri, të marrëdhënieve Serbi-Maqedoni e Veriut dhe të Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë. Mendoj se ka pasur shumë sukses dhe do të doja të shihja më shumë nga kjo. Sinqerisht, për sa i përket të qenit i frustruar për gjërat, mendoj se duhet të ketë më shumë përparim në këto fusha. Do të doja të shihja më shumë mbështetje nga vendet e tjera të rajonit, por edhe nga perëndimi dhe të gjithë e kuptojnë se këto vende duhet të bashkëpunojnë dhe kështu do të jenë partnerë apo anëtarë më të mirë të BE-së.
Zëri i Amerikës: Në vitet nëntëdhjetë, perëndimi kishte një qasje më të ashpër ndaj Serbisë. Jeni njohur edhe me Slobodan Milosheviçin dhe Aleksandar Vuçiçin. A mund t’i krahasoni, të thoni me kë është më e lehtë për të bashkëpunuar?
Christopher Hill: Jo nuk mund t’i krahasoj. Ata janë njerëz shumë, shumë të ndryshëm dhe kemi të bëjmë me një kohë tjetër. Pra, jo, unë nuk mund ta krahasoj presidentin aktual me Slobodan Milosheviçin. Këtë do t’ua lë juve dhe historianëve për ta bërë këtë.
Zëri i Amerikës: Po i kthehem Kosovës. Situata duket shumë më e qetë sesa ishte disa muaj më parë. A keni gjetur gjuhën e përbashkët me kryeministrin (Albin) Kurti për zgjidhjen e problemeve së bashku? Po ju pyes sepse në një intervistë në qershor na keni thënë se nuk jeni të sigurt që zoti Kurti është partner i Shteteve të Bashkuara. A keni lëvizur nga ajo pikë?
Christopher Hill: Ajo që mund t’ju them është se ne jemi duke punuar ngushtë me Serbinë për zgjidhjen e problemit. Mendoj se ka kuptim për Serbinë dhe marrëdhëniet serbo-amerikane dhe do t’ua lë të tjerëve t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Mendimi im është i njohur.
Zëri i Amerikës: Mendoni se situata në Kosovë është më e qetë apo mendoni ndryshe?
Christopher Hill: Shumë njerëz kanë qenë me pushime në gusht dhe kështu do të duhet të shohim se si duket në shtator. Unë besoj se kjo çështje është urgjente dhe se duhet të ketë një përparim në këtë çështje. Mendoj se të paktën ne e dimë se cilët janë përbërësit për një lloj të ardhmeje të qetë. Është shumë e qartë se ne kemi nevojë për një Asociacion të komunave serbe. Është e qartë se Kosova ka nevojë për qasje më të mirë në strukturat ndërkombëtare. Kështu që mendoj se ne në thelb e dimë se çfarë do të përpiqemi të bëjmë. Problemi është t’i bashkosh të gjitha. Është si një mozaik i madh. E hedh në tavolinë, pastaj duhet ta bashkosh. Nuk është e lehtë.
Zëri i Amerikës: A prisni ndonjë krizë në shtator?
Christopher Hill: Nuk mund ta parashikoj krizën, por ajo që mund të shoh është një përpjekje e re për të zgjidhur problemet. Të gjithë patën një shans për të menduar gjatë verës dhe shpresoj se mund të përmirësohemi. Serbia është vendi më i madh në Ballkan, ka ambicie për t’u afruar me perëndimin, ka plane ambicioze ekonomike, po vjen Expo 27. Po të isha Serbia do të doja ta zgjidhja problemin me Kosovën, për të treguar se unë mbështes komunitetin serb në Kosovë, por në fund, për të parë se cilat janë lëvizjet më të gjera strategjike që duhen bërë për t’u bërë pjesë e perëndimit.
(Zëri i Amerikës)