Beograd, 6 nëntor 2022 – Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.
Kështu ka thënë të dielën ambasadori i Shtetev të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.
Ai i ka bërë këto deklarata një ditë pas vendimit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.
“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Hill për televizionin N1.
Hill ka thënë gjithashtu se SHBA-ja është në linjë me BE-në edhe sa i përket kërkesës ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe.
Kryeministri i Kosovës, u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës, pasi në këtë mënyrë dobësojnë shërbimet për qytetarët.
Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe për braktisjen e institucioneve shtetërore të Kosovës në pjesën veriore të vendit.
(r.m.)