I vetmi që po ndërhyn në punët e brendshme në Bjellorusi është Kremlini
Nga Ruben Avxhiu
“Bjellorusia i zgjidh vetë problemet e saj pa ndërhyrje nga jashtë”, ishte pak a shumë mesazhi që ministri i Jashtëm Lavrov i tha Edi Ramës që fliste në cilësinë e kryetarit të radhës të OSBE-së.
Për (pa)përshtatshmërinë e Edi Ramës si ndërmjetësues në Bjellorusi shkruajta dje, mirëpo ia vlen të thuhen edhe nja-dy fjalë për Lavrovin dhe Rusinë.
Oferta për ndërmjetësim nuk është ndërhyrje në punët e brendshme. Nëse nuk i pëlqen OSBE-ja, le të propozojë Lukashenko një ndërmjetësues tjetër.
Ironia është se e vetmja forcë që po fut hundët në punët e brendshme të Bjellorusisë është vetë Rusia. Sot, një numër gazetarësh rusë u katapultuan në Minsk për të marrë në dorë studio televizive shtetërore, që u braktisën në formë proteste nga gazetarët bjellorusë. Këta sigurisht nuk janë gazetarë, por shërbyes regjimesh me pagesë.
Po ashtu edhe aktivistët rusë që po udhëtojnë drejt Minskut për ta shpëtuar regjimin nga populli i vet.
Putini nuk do që të angazhohet personalisht. As edhe të ndërhyjë si ndërhyri në Ukrainë, se protesta këtu nuk po bëhet për kthim nga Perëndimi, si në Kiev. Mirëpo, nga ana tjetër, Putini sheh te Lukashenko veten e tij. Edhe ai po bëhet mbi 20 vjet në pushtet. Këta udhëheqës të përjetshëm të Kremlinit në fund përfundojnë që të vetmin synim kanë mbetjen në pushtet.
Një ndërmjetësim nga jashtë, sidomos nga një organizatë me mision tepër përgjithësues si OSBE-ja nuk ka ndonjë gjë të keqe. OSBE nuk është si Bashkimi Europian. Edhe një vend si Rusia është anëtare. Mjafton të ekzistosh në Europë, apo rrethinat e saj dhe bëhesh anëtar. Është praktikisht vendet e Europës Perëndimore dhe Lindore, plus SHBA-në dhe Rusinë.
Mirëpo, pikërisht kjo natyrë jo shumë e përcaktuar e organizatës i jep asaj mundësinë që të ndërmjetësojë. Nëse BE për hir të vlerave demokratike që përfaqëson ka vendosur sanksione ndaj regjimit të Lukashenkos dhe shihet prej tij si palë me opozitën, OSBE vjen pa paragjykime. Kryetare është një vend si Shqipëria, me demokraci plot probleme.
OSBE nuk është e vetmja kandidate për ndërmjetësim. Ka organizata të tjera, shtete, apo individë të njohur që të mund të luajnë rol.
E vërteta është se çfarëdo ndërmjetësimi nënkupton ekzistencën e dy palëve dhe për Lukashenkon e për Moskën, opozita bjelloruse nuk ekziston. Ajo mesiguri ka marrë para nga NATO, Amerika, BE, e të tjerë fantazma që justifikojnë refuzimin për të pranuar se pas 26 vjetëve njerëzve u vjen në majë të hundës e duan diçka tjetër, një udhëheqës tjetër, një fytyrë tjetër.
Lukashenko ka më shumë se çerekshekulli në pushtet. E mbaj mend në 1999, kur shkoi të vizitojë Beogradin në kohën e luftës së Kosovës. U përqafua me Millosheviqin për t’i dhënë zemër në shfarosjen e shqiptarëve dhe u tregua pozitiv për idenë e diktatorit serb që të krijohej një federatë e madhe me tre shtete Rusinë, Bjellorusinë, dhe Serbinë. Një fantazi të cilën Jelcini në Rusi e hodhi në koshin e plehrave pa u kristalizuar mirë.
Kohët e fundit, demokracia ka hasur sfida në botë. Diktatorë që arrijnë të ofrojnë shërbimet bazë për popullsinë e tyre fitojnë vite qetësie në pushtetin që nuk e meritojnë. Në Kinë e Rusi, po edhe në vende me demokraci gjysmake, udhëheqës autoritarë nuk kanë sfida serioze për pushtetin e tyre. Nganjëherë opozita nuk frymëzon. Shoqëritë janë apatike. Por kjo dukuri ka kufizimet e veta. Lukashenko ka dështuar të mbajë anën e tij të marrëveshjes. Njerëzit janë të pakënaqur. Regjimi ka humbur forcën e tij dhe njerëzit janë zgjuar.
Në këto rrethana, një ndërmjetësim nuk do të sillte fundin e regjimit. Përkundrazi mund t’i jepte një periudhë kalimtare të butë të gjitha palëve. Nëse diktatori nuk heq dorë nga pushteti dhe nëse populli ka vendosmërinë për të sakrifikuar, gjakderdhja është e mundshme. Lukashenko duhet të përfitojë nga ofertat për ndërmjetësim e të bashkohet me ata ish-diktatorë që kanë gjetur një jetë të dytë pas pushtetit.