Historiani italian Silvano Vincetti tha se ka ardhur në pëfundimin se Leonardo da Vinçi, në pikturën e tij të famshme “Mona Lisa”, e ka pikturuar në sfondin e prortetit urën Romito, pranë qytetit Laterina, në provincën e Arezzo, në Toskanë.
Sfondi i pikturës së famshme të Da Vinçit është diskutuar nga historianët e artit për dekada, ashtu sikurse edhe identiteti i Xhokondas. Disa prej tyre ishin të bindur se në sfond është një peizazh me urën Buriano, pranë Laterinës, kurse disa të tjerë mendojnë se në sfond ishte ura Bobbi, në Piacenza.
Por, Vincetti, duke përdorur dokumente historike, si edhe fotografi të sotme dhe filmime me dron, arriti në përfundimin se ka qenë ura Romito ajo që e ka frymëzuar piktorin, në fillim të shekullit të 16-të, kur ai e pikturoi “Mona Lisën”.
“The Guardian” shkruan se në favor të zbulimit të Vincettit është fakti se ura Romito i kishte katër harqe, siç shihet në foto, ndërsa ura Buriano dhe ura Bobio i kishin më shumë.
Vincetti tha se rruga ku gjendej ura Romito ishte një nga rrugët më të ngarkuara të karvanëve në fillim të shekullit të 16-të.
“Pikërisht në atë periudhë, nga viti 1501 deri në vitin 1503, Da Vinçi qëndroi në atë zonë, fillimisht në shërbim të kardinalit Cesare Borgia dhe më pas të Piero Soderinit, një burrë shteti nga Firence”, tha Vincetti.
Ai tha se, duke matur gjerësinë midis brigjeve të lumit dhe duke përdorur gjatësinë e harkut të mbetur të urës, është absolutisht i bindur se do të nevojiteshin saktësisht katër harqe për të shtrirë lumin.
Vincetti tha se banorët e qytetit të vogël janë të emocionuar se Da Vinci ka pikturuar një pjesë të historisë së tyre në portretin e tij më të famshëm.
(r.m.)