Hodges: Forca evropiane në Ukrainë s’ka nevojë për garanci amerikane të sigurisë

Pragë, 23 mars 2025 – Derisa shefat ushtarakë të 30 vendeve evropiane dhe përtej ishin mbledhur afër Londrës për të diskutuar për një mision ushtarak evropian në Ukrainë, ish-shefi i ushtrisë amerikane në Evropë, gjenrali në pension Ben Hodges, ka thënë se është pothuajse e pamundur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ofrojnë garanci të sigurisë.

“Duke gjykuar nga bisedat mes palës amerikane dhe asaj ruse, besoj se nuk ka pothuajse asnjë mundësi që SHBA-ja t’i ofrojë ato garanci. Nuk besoj se kjo administratë ka gatishmëri për ta bërë këtë”, ka thënë Hodges për Radion Evropa e Lirë.

“E gjithë biseda mes palës amerikane dhe asaj ruse nuk lidhet me realitetin se kush është Rusia”, ka thënë ai.

Por, Hodges ka thënë se shtetet që kanë vullnet të krijojnë një forcë sigurie për Ukrainën mund ta bëjnë këtë pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ushtarët të cilat i kam takuar ndër vite në Mbretëri të Bashkuar, Francë, Gjermani, Holandë, Finlandë dhe Poloni, janë gra dhe burra të kualifikuar dhe me pajisje të mira”, ka thënë ai.

Hodges ka thënë se elementi kryesor për të cilin duhet të pajtohen palët e përfshira në projektin pë formimin e një force të tillë duhet të definojnë qartë misionin e kësaj force, gjë që do të mundësonte planifikim dhe përgatitje të detajuara.

“Ata me siguri janë duke punuar në disa skenarë. Nëse flasim për një zonë të ndarjes mes trupave ukrainase dhe ruse, po flasim për një numër të madh trupash. Nëse flasim për vendosjen e tyre mbrapa ukrainasve, atëherë duhen më pak trupa. Ky skenar është më i sigurt, por më pak efektiv”, ka thënë Ben Hodges.

Gjenerali amerikan, i cili është pensionuar në vitin 2017, thotë se deri më tash Ukraina e ka ndalur Rusinë “pothuajse vetëm”.

Britania dhe Franca janë në krye të përpjekjeve për të krijuar një forcë ushtarake që do të angazhohej në Ukrainë, në rast të ndonjë armëpushimi, mirëpo kanë sugjeruar se për këtë forcë janë jetike ato që kryeministri britanik, Keir Starmer, i ka quajtur “garanci amerikane”. Kjo kërkesë duket se lidhet me nevojën për mbështetje ajrore, logjistike dhe të inteligjencës amerikane.

Por, Uashingtoni është treguar i ftohtë ndaj idesë së përfshirjes së ushtrisë amerikane, ndërsa Moska ka thënë se do të ishte e papranueshme çfarëdo prezence në Ukrainë e trupave të vendeve të NATO-s.

Kryeministri britanik Keir Starmer ka thënë në takimin 20 marsit se do të bëhen përgatitje për atë që e ka quajtur “fazë operacionale”, gjatë të cilës pritet të finalizohen diskutimet për mënyrën se si do të duket, si do të pajisjet dhe di do të funksionojë forca evropiane në Ukrainë.

Britania dhe Franca tashmë janë zotuar se do t’i dërgojnë ushtarët e tyre në këtë mision. Britania ka thënë se “një numër i konsiderueshëm” i shteteve kanë shprehur gjithashtu gatishmërinë për të angazhuar trupa paqeruajtëse n në Ukrainë, por nuk ka treguar se cilat vende e kanë shprehur këtë gatishmëri.

Australia, Kanadaja dhe Finlanda janë deklaruar hapur se janë të gatshme të përfshihen në ndonjë mënyrë.

(r.m.)

Comment

*