Holanda s’ka ende qëndrim për liberalizimit të vizave për Kosovën

Prishtinë, 3 tetor 2022 – Holanda nuk e ka shprehur ende qëndrimin e saj lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministria e Jashtme e Holandës, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka thënë se Holanda “e mbështet Qeverinë e Kosovës në agjendën e saj ambicioze të reformës së Sundimit të Ligjit, veçanërisht, në adresimin e çështjeve si krimi i organizuar dhe korrupsioni i nivelit të lartë”.

“Komisioni Evropian së shpejti do të vijë me një raport të përditësuar mbi standardet për liberalizimin e vizave. Holanda është e hapur për të vlerësuar nëse të gjitha standardet janë përmbushur”, ka thënë ministria.

Por, Holanda do ta japë qëndrimin përfundimtar pasi të vlerësojë përparimin e bërë në Kosovë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Progresi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është kyç për ne. Vetëm pas vlerësimit të progresit të bërë dhe pas një diskutimi në parlament do të kemi qëndrim për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme të Holandës.

Ajo ka thënë se Holanda do ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës, institucionet gjyqësore  dhe organizatat e shoqërisë civile, përmes ekspertizave të tyre, për ta reformuar sistemin gjyqësor.

“Holanda ishte, është dhe do të ndihmojë qeverinë e Kosovës, por edhe institucionet gjyqësore dhe organizatat e shoqërisë civile përmes projekteve, këshillave dhe ekspertizës në arritjen e rezultateve në reformat e nevojshme për sundimin e ligjit”, ka thënë Ministria e Jashtme e Holandës.

Sidoqoftë, Holanda kujton se vendimi është çështje e Këshillit të Bashkimit Evropian.

“I takon Këshillit të Bashkimit Evropian që të diskutojë dhe të pajtohet për liberalizimin e vizave, kështu që nuk është çështje bilaterale mes Kosovës dhe njërit prej shteteve anëtare të BE-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Holanda dhe Franca janë dy prej vendeve anëtare të BE-së që kanë qenë skeptike për këtë proces.

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian e ka vendosur edhe zyrtarisht në rend dite çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Sipas agjendës, kjo çështje do të diskutohet më 13 tetor.

Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, ka thënë se pret që gjagtë presidencës gjashtëmujore të Çekisë do të finalizohet procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

(r.m.)