“Homeroom Hub”, platforma e krijuar në Kosovë synon tregun amerikan

Uashington, 16 janar 2023 – “Homeroom Hub” është një platformë e re dixhitale që synon të ndihmojë procesin mësimor, kur zhvillohet në klasë, ose në distancë përmes internetit. Ky është një nënprodukt i përshtatur për tregun amerikan i aplikacionit “e-shkollorit”, një koncept i zhvilluar në Kosovë nga inxhinieri i teknologjisë informative Dardan Mehmeti. Mundësitë e mëdha që ofron ky aplikacion në një platformë të vetme dhe kostoja më e ulët krahasuar me shërbimet e ngjashme në SHBA, zgjuan interesimn e sipërmarrësve në shtetin e Teksasit. Kolegu Burim Goxhuli bisedoi me krijuesin e kësaj platforme dhe sipërmarrësit amerikanë që po ndihmojnë këtë projekt të depërtojë në shkollat e Teksasit.

Pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, sistemi i edukimit në Kosovë filloi të përdorë një platformë të re të mësimit nga distanca, të quajtur “e-shkollori”, një aplikacion që ofron infrastrukturën e nevojshme elektronike për dixhitalizimin në tërësi të procesit arsimor.

E-shkollori është krijuar më 2017 nga inxhinieri i teknologjisë informative, Dardan Mehmeti. Në atë periudhë ai ishte pjesë e administratës së një shkolle në Prishtinë, ku edhe kishte vërejtur domosdoshmërinë për krijimin e një aplikacioni të tillë.

“Duke qenë se unë vet kam punuar në një shkollë, nga viti 2011 e tutje, e kam parë si diçka shumë të nevojshme personalisht. Gjithmonë kam menduar se duhet të ekzistojë një sistem i tillë dhe dikur kam thënë po e zhvilloj vetë një sistem të tillë”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Pak vite pas krijimit të kësaj platforme dhe përdorimit të gjerë të saj në Kosovë, më 2021 zoti Mehmeti u vendos në Hjuston të Teksasit. Në atë kohë, ai thotë se nuk kishte në plan që ta sillte “e-shkollorin” në Shtetet e Bashkuara.

“Mirëpo duke takuar njerëz, sidomos komunitetin shqiptaro-amerikan, u frymëzova që të filloj të angazhohem edhe për mundësinë e zbatimit të e-shkollorit këtu. Kemi parë se ne ofrojmë çfarë ofrojnë të gjithë të tjerët së bashku, në një platformë. Ky është novacioni ynë. Qasja se si ofrojmë shërbimin”, thotë ai.

Versioni amerikan i “e-shkollorit” quhet “Homeroom Hub”. Numri i madh i shërbimeve të ofruara në një platformë të vetme dhe mundësia e përshtatjtes së këtyre shërbimeve në varësi të kërkesave, shtyu sipërmarrësin amerikan Dr. Jerry Nash të bëhet pjesë e bordit të “Homeroom Hub”.

“Unë vij nga sektori i edukimit. Kam qenë mësues për një kohë. Do të doja që të kisha këtë program gjatë kohës kur isha mësues. Kam biseduar rreth kësaj me anëtarë bordi dhe zyrtarë të shkollave. Ata kanë programe të ngjashme, por nuk kanë një program si ky që sjell gjithçka në një vend. Ka mbi 15 programe të ndryshme që shkollat duhet të kenë për të zhvilluar mësimin. Kjo e lehtëson shumë procesin mësimor. Edhe për prindërit dhe administratën e shkollës do të jetë një mjet i mrekullueshëm”, thotë zoti Nash për Zërin e Amerikës.

Ligjvënësi republikan në Teksas dhe ish-kryetari i komisionit për edukimin publik, njëherësh sipërmarrësi Dan Huberty thotë se po angazhohet që “Homeroom Hub” të zëvendësojë platformat e mangëta që u krijuan gjatë kohës kur pandemia goditi sistemet e edukimit në mbarë botën.

“Shumica e produkteve që u krijuan gjatë pandemisë u krijuan në urgjencë e sipër. Ne po përmirësojmë sistemin e vjetër duke ofruar një teknologji më të përparuar. Po bëjmë gjithçka që duhet që kjo të funksionojë dhe sjell përfitime për shkollat në një periudhë më afatgjate”, thotë zoti Huberty.

Shteti i Teksasit, i cili shpenzon mbi 600 milionë dollarë në vit për avancimin teknologjik të shkollave publike, përbëhet nga më shumë se një mijë distrikte shkollash, me mbi 5 milionë nxënës.

Zoti Mehmeti numëron disa nga përfitimet kryesore që sjell për nxënësit sistemi që ai krijoi.

“Nxënësit do të kenë mundësi që përmes Homeroom Hub të vijojnë mësimin, fizikisht në shkollë ose në mënyrë virtuale. Aplikacioni ofron komunikim me shkollën, qasje në videoligjerata, në laboratore virtuale, dhe teste, në libra dhe përmbajtje të ndryshme online, përmbajtje multimediale dhe libra interaktivë. Këto dhe shumë shërbime të tjera do të ofrohen për nxënësit”, thotë ai.

Veç procesit të mësimdhënies, sipas zotit Mehmeti “Homeroom Hub” lehtëson edhe punët administrative të shkollave, ndihmon në rritjen e llogaridhënies dhe forcimin e zinxhirit të komunikimit të shkollës me prindërit.

“Menaxhimi i mësimdhënësve, menaxhimi i nxënësve, menaxhimi i komunikimit mes tyre dhe prindërve, menaxhimi i objektit të shkollës, transportit të nxënësve, pra autobusit të shkollës, pagesat, pjesa tjetër financiare, të gjitha këto përfshihen brenda sistemit. Ndërsa për prindërit mundëson raportimin për aktivitetet e fëmijëve në shkollë, pjesën e pagesave, komunikimin me shkollën, qasjen në nota dhe ditar të secilit prind për fëmijët e vet”, thotë zoti Mehmeti.

Dardan-Mehmeti

Dardan Mehmeti

Kostoja e ulët për numrin e shërbimeve që ofron është një përparësi tjetër e konceptit që është zhvilluar në Kosovë, thotë sipërmarrësi amerikan Dr. Nash.

“Mendoj se suksesi i këtij programi do të jetë më i gjerë sesa shteti i Teksasit. Mendoj se në pesë vite do të zgjerohet jo vetëm në shkollat publike por edhe ato private dhe me shumë gjasë edhe tek sistemi i lartë i edukimit. Ky aplikacion ofron kosto më të ulët krahasuar me atë që shkollat paguajnë për të pasur të gjitha mundësitë që ky program i ofron”, thotë ai.

Ligjvënësi Huberty thotë se marrëveshja e arritur për “Homeroom Hub” flet mbi mundësitë që ofrojnë Shtetet e Bashkuara dhe është një tregues se suksesi është i mundur, pa marrë parasysh vendin ku jeton.

“Nuk them se nuk kemi sipërmarrës këtu, por t’u japësh njerëzve një mundësi që të shfaqin aftësitë e tyre profesionale është shumë e rëndësishme. Për mua nuk ka rëndësi vendi prej nga vjen. Nëse ke një ide të mirë, jeni i zgjuar dhe doni të punoni shumë për ta bërë një biznes të suksesshëm, jam i gatshëm të bashkëpunojë”, thotë ai.

Brenda rreth tre muajsh disa shkolla publike të Teksasit pritet të fillojnë testimin e aplikacionit “Homeroom Hub, me synimin që ta përdorin atë për vitin shkollor 2023-2024.

(Burim Goxhuli, Zëri i Amerikës)