Prishtinë, 10 shtator 2021 – Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur, Andin Hoti, ka dhënë detaje rreth vizitës dyditore në Bruksel të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Hoti ai ka thënë se delegacioni i Kosovës ka kërkuar që Serbia t’i hapë arkivat e ushtrisë dhe të policisë serbe për të gjetur prova për krimet e kryera në Kosovë.
“Në Bruksel, ne, pala e Kosovës, kemi kërkuar hapjen e arkivave shtetërore të Ushtrisë dhe të Policisë së Serbisë së luftës së fundit në Kosovë, të masakrave dhe të krimeve që i kanë kryer në Kosovë ushtria dhe policia e Serbisë”, ka thënë Hoti, për Edicionin Special.
Ai ka thënë se pala serbe ka kërkuar që të ketë qasje në ato qëi kaquajtur “arkiva të UÇK-së dhe kryesuesi i delegacionit të Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, e ka ftuar emisarin e Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që të bindet për shpikjet e Serbisë se UÇK-ja ka arkiva.
“Z. Bislimi e ka ftuar z. Lajçak që të vijë në arkivat shtetërore të Kosovës, të shikojë dhe të bindet për shpikjet e Serbisë se UÇK-ja ka arkiva dhe në to mund të gjenden prova për zbardhjen e fatit të serbëve të pagjetur”, ka thënë ai.
Hoti ka thënë se deklarata e Bislimit lidhur me çështjen e arkivave janë keqinterpretuar nga opozita dhe ka theksuar se opozita po përpiqet ta përdorë për qëllime politike çështjen e të pagjeturve.
“Po ndjej shumë keqardhje që edhe kjo çështje po tentohet të politizohet. Po tentohet të bëhet politikë edhe me fatin e të pagjeturve. Kjo nuk i bën nder askujt dhe aq më pak i ndihmon ndjeshmërisë së një procesi të tillë. Unë e dëgjova z. Bislimi. Unë kam qenë me z. Bislimi në Bruksel ditën e martë dhe të mërkurë. Në takim me z. Lajçak kemi qenë unë dhe Bislimi, ndërsa me z. Petkoviq ka qenë vetëm Bislimi”, ka treguar Hoti.
“Me aq sa kam dëgjuar unë, sepse më duhet ta theksoj se unë nuk jam avokat i z. Bislimi, por jam avokat i asaj çka ka ndodhur në Bruksel dhe, për hir të familjarëve të personave të zhdukur e me përulësi dhe respekt për Organizatën e Vetëranëve të Luftës së UÇK-së dhe me përulësi e respekt për krerët e UÇK-së që sot gjenden në Hagë, mua më duhet të sqaroj një keqinterpretim dhe një keqkuptim që është bërë orëve të fundit”, ka thënë Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur, Andin Hoti.
Ky reagim i z. Hoti vjen pas reagimeve të Organizatës së Vetëranëve të Luftës së UÇK-së dhe të liderëve dhe eksponentëve të partive politike opozitare ndaj deklaratës që zëvendëskryeministrit Bislimi ka bërë në Bruksel, pas takimit me kryesuesin e delegacionit të Serbisë në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Bislimi ka thënë se pala serbe është pajtuar në parim për hapjen e arkivave shtetërore për çështjen e të pagjeturve, por ka kërkuar edhe hapjen e “arkivave të UÇK-së”.
“Ne kemi evidentuar se problemi kryesor për çështjen e të zhdukurve me forcë është mosgatishmëria e palës serbe për hapjen e arkivave shtetërore. Ne kemi diskutuar edhe për kthimin e disa mbetjeve mortore të viktimave që janë gjetur në Kishevak. Po ashtu ne kemi kërkuar mos pjesëmarrjen e (Velko) Odalloviqit në delegacionin serb. Pala serbe në mënyrë deklarative kanë thënë se janë dakord të hapin gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat në Kosovë dhe të UÇK-së”, ka thënë Bislimi.
Kritikët e Bislimit e kanë interpretuar këtë si pajtim të tij se në Kosovë ka arkiva të UÇK-së.
Sipas tyre, Bislimi është pajtuar me tezën serbe se UÇK-ja kakryer krime lufte në Kosovë.
Andin Hoti është djali i profesorit Ukshin Hoti, i cili është në mesin e mbi 1600 të zhdukurve qysh nga lufta në Kosovë, në vitin 1999.
(r.m.)