Hovenier: Angazhohemi për marrëveshje me njohje reciproke; Asociacioni s’mund të ketë kompetenca ekzekutive

Prishtinë, 29 qershor 2022 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se BE dhe SHBA-të janë duke bërë gjithçka për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës e Serbisë. Por, ai ka theksuar se marrëveshja është në dorën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“E di që përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Lajçak, është i përkushtuar për të bërë gjithçka që mundet për të shtyrë këtë gjë përpara. E di që Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të bërë gjithçka që mundemi për ta shtyrë këtë gjë përpara. Varet nga kryeministri Albin Kurti e presidenti Aleksandër Vuçiq dhe ekipet e tyre përkatëse se çka është e mundur të arrihet, por ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të realizohet kjo”, ka thënë Hovenier në emisionin “Rubikon” të televizonit KlanKosova.

Hovenier ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi nuk mund të zgjasë pa fund dhe se tani ka gjasa për arritjen e marrëveshjes.

“Natyrisht që ka afat kohor. Populli i Kosovës dëshiron ta shohë vendin plotësisht të integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Edhe ne e duam këtë gjë. Ne mendojmë se momentalisht jemi në një çast kur ka gjasa të njëmendta për arritjen e përparimit në dialog”, ka thënë Hovenier.

“Ka përkushtim nga administrata e Presidentit Biden. E kemi situatën kur politika e brendshme është më pak relevante, meqenëse për njëfarë kohe nuk do të ketë zgjedhje as në Kosovë dhe as në Serbi. Pra, ne shpresojmë dhe e di që edhe përfaqësuesi i posaçëm, Lajçak, shpreson që periudha e ardhshme të jetë periudhë ku arrijmë përparim bashkërisht”, ka thënë ai.

Ambasadori Hovenier ka theksuar edhe me këtë rast se SHBA-të e kanë shprehur zyrtarisht qëndrimin se marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë e përqendruar në njohje reciproke.

Ai ka thënë se SHBA dhe BE janë pro formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që nuk de cenon funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

“Nëse e shihni Planin e Ahtisarit, aneksin 2, ka disa indikacione se diçka e tillë mund të ekzistojë. Pastaj në negociatat në Bruksel dhe në marrëveshjet e Brukselit është zotimi të ekzistojë diçka e tillë. Por, ne, në bashkësinë ndërkombëtare, kurrë nuk e kemi specifikuar se çka saktësisht duhet të jetë dhe cilat duhet të jenë kompetencat e saj, sepse këtë gjë duhet ta përcaktojë Qeveria e Kosovës dhe këtë ta diskutojë në kontekst të dialogut. Por, dëshiroj të jem i qartë për diçka këtu: kam dëgjuar disa zyrtarë kosovarë duke shprehur shqetësimin se (Asociacioni) mund të keqpërdoret ose të bëhet diçka si Republika Serbe. Ky është shqetësim shumë legjitim, por dua të jem i qartë: Shtetet e Bashkuara dhe, mendoj, edhe të gjithë partnerët tanë pajtohen dhe askush nga ne nuk dëshiron ta shohë diç të tillë. Asnjëri nga ne nuk beson që ky është mekanizëm i përshtatshëm për të arritur objektivat që duam ta shohim Kosovën – shtet shumetnik, demokratik, me kushtetutë funksionale dhe sistem qeverisës funksional”, ka theksuar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

(r.m.)