Prishtinë, 26 janar 2022 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se i takon Kosovës të vendosë se si do të veprojë lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një intervistë për transmetuesin publik të Kosovës, Radio Televizionin e Kosovës, Hovenier ka theksuar se SHBA-ja pret që “Qeveria e Kosovës t’iu përmbahet zotimeve që i ka marrë”.
“Ka modele, të cilat ne mendojmë se mund të funksionojnë dhe e kemi inkurajuar Qeverinë e Kosovës që t’i shqyrtojë ato modele dhe ta shqyrtojë atë çështje”, ka thënë Hovenier.
Ai nuk ka dhënë detaje mbi këto modele, por ka theksuar se askush nuk është i interesuar për një model si Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë.
“Do të thosha se as atëherë, në kohën e Ahtisaarit, askush nuk kishte në mendje diçka që do të kishte një shtresë tjetër të qeverisë, diçka me funksione ekzekutive… Jam i vetëdijshëm për shqetësimet për një Republika Srpska tjetër. Askush nuk është i interesuar për këtë. Kjo nuk i ndihmon Kosovës. Nuk është e dobishme. Por, ka disa përfitime sa i përket koordinimit”, është shprehur ai.
Ambasadori amerikan ka theksuar gjithashtu se Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe këtë nuk mund ta kontestojë askush.
“Kosova është shtet i pavarur. Disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë, por kështu është. Kosova është shtet sovran. Ka njerëz që mund ta kontestojnë këtë, por kështu është. Njerëzit mund të debatojnë sa të duan, por realiteti, faktet në terren, flasin vetë”, ka theksuar ai.
Ambasadori Hovenier ka thënë se SHBA është e përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka thënë gjithashtu se Uashingtoni pret që Kosova dhe Serbia të zbatojnë pijkat e marrëveshjes së arritur në Uashington, në shtator të vitit 2020.
“Ka zotime për personat e zhdukur, ka zotime për kalimin e kufirit, ka zotime lidhur me tregtinë ndërkufitare. Ne besojmë se të gjitha këto do të ishin në dobi të Kosovës dhe të Serbisë”, ka thënë Hovenier.
Ambasadori amerikan në Kosovë, i cili e mori detyrën në fillim të këtij muaji, i ka vlerësuar të arriturat e Kosovës prej shpalljes së pavarësisë.
“Muajin e ardhshëm, Kosova feston 14-vjetorin e pavarësisë dhe unë mendoj se ajo që populli i Kosovës ka arritur në këta 14 vjet është e jashtëzakonshme”, ka thënë Hovenier.
“Mendoj se është mrekulli. Por, ende ka punë që kjo mrekulli të ecë më përpara. Ka ende punë për ta parë këtë vend gjithnjë e më shumë duke e zënë vendin e saj të merituar, si vend sovran dhe i pavarur, që ofron shërbime për të gjithë qytetarët e saj”, ka deklaruar Hovenier.
(r.m.)