Prishtinë, 1 gusht 2023 – Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA-ja dhe partnerët ndërkombëtarë janë të brengosur thellë me vendimin për tërheqjen e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.
“Bashkë me ambasadat e vendeve të QUINT-it e kemi shprehur qëndrimin, disa orë pas vendimit për tërheqjen e licencës së biznesit. Ne nuk e shohim këtë çështje vetëm si regjistrim të biznesit, por si çështje të lirisë së medias dhe si të tillë e adresojmë”, ka thënë Hovenier.
“Nga pronarët e Klan Kosovës kemi mësuar se kanë dorëzuar dokumente të reja të regjistrimit. Kurdo që një qeveri merr ndonjë vendim që mund të ketë ndikim në mediat e pavarura, në organizatat e transmetimit, është diçka që duhet pasur kujdes të madh me rastin e rishikimit, deri te rezultati në fund, sepse liria e medias është aq e rëndësishme”, ka shtuar ai.
“Kjo është pikëpamja jonë. Kërkojmë që qeveria ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë transparente, të drejtë dhe të shpejtë”, ka theksuar ambasadori Hovenier.
(r.m.)