Prishtinë, 11 qershor 2024 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një sfidë që duhet tejkaluar vetëm me njohje reciproke dhe jo diçka më pak.
“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”, tha ai.
Duke folur në një panel të samitit “The Ëestern Balkans 2024”, që po mbahet në Prishtinë, Hovenier theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
“Ka një varg zyrtarësh amerikanë, përfshirë dhe mua, që kalojmë shumë kohë për zbatimin e plotë të obligimeve që Kosova dhe Serbia i kanë marrë në procesin e lehtësuar nga BE-ja”, tha Hovenier.
Ai tha se SHBA do të mbështesë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në stukturat euro-atlantike, përfshirë NATO-n.
“Prioriteti ynë numër një për Ballkanin Perëndimor është mbështetja e pricesit për integrimit evropian. Ne do të mbështesim anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane, sepse e ardhmja e rajonit është në BE dhe pjesë e komunitetit trans-atlantik, veçanërisht NATO-s, për ato shtete që duan të jenë pjesë e saj”, tha Hovenier.
Hovenier përsëriti qëndrimin e SHBA-së ndaj deklaratës së miratuar në “Kuvendin Gjithëserb” më 8 qershor, ku Kosova konsiderohet si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”. Ai tha se për SHBA-në dhe partnerët e saj statusi i Kosovës është temë e mbyllur.
“Ky nuk është qëndrim i vendit tim por edhe i partnerëve. Ne e kemi njohur Kosovën si vend të pavarur, sovran, demokratik dhe kjo s’është temë për diskutim dhe as nuk do të rinegociohet”, theksoi ambasadori amerikan në Kosovë.
(r.m.)