Prishtinë, 20 mars 2024 – Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të mërkurën se ka disa shenja pozitive për përparim në çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Ai i bëri komentet pas një takimi me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili një ditë më parë diskutoi mbi këtë çështje në Bruksel me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbetet shumë i qartë rreth kësaj cështjeje. Ne respektojmë autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës, e kuptojmë se ka një përgjegjësi të përcaktojë politika mbikëqyrëse për gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Kjo nuk është për dinarin, kjo është për mënyrën se si rregullorja do të zbatohet, dhe ne jemi të shqetësuar se mënyra e zbatimit mund të ndikojë tek kategori të cenueshme të shoqërisë, posaçërisht komunitetin serb por jo vetëm”, tha ambasadori amerikan.
I dërguari evropian Miroslav Lajçak tha se të hënën në Bruksel pritet vazhdimi i bisedimeve Kosovë – Serbi për çështjen e dinarit serb, ndërsa deri të premten palët do të paraqesin propozimet e tyre.
“Është mirë të shohim se të dy qeveritë si ajo në Kosovë edhe ajo në Serbi do të ofrojnë mendimet e tyre se si mund të zgjidhet kjo çështje. Do ta përcjellim takimin e javës së ardhshme dhe e mirëpresim gjithë këtë zhvillim”, tha ambasadori amerikan.
Rregullorja që ka hyrë në fuqi me një shkurt, sipas së cilës euroja është monedha e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Serbia.
Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive, por kanë theksuar përkushtimin ndaj pavarësisë dhe sigurisë së Kosovës.
I pyetur rreth raportimeve se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, “ka kërcënuar me pushtim të mundshëm të Kosovës”, ambasadori Hovenier, tha se qytetarët e Kosovës nuk duhet të shqetësohen për ndonjë kërcënim ndaj sigurisë së tyre.
“Mund të them që përkushtimi ynë për sigurinë e Kosovës, garancitë e sigurisë që kanë ofruar Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të forta si kurrë më parë. Ne flemë rehat sa i përket këtij kërcënimi. Mendojmë se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme dhe mendoj se populli i Kosovës duhet të flejë rehat sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prani të madhe këtu, që është e gatshme të bëjë gjënë e duhur”, tha ambasadori Hovenier.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë që Kosova të bëhet një ditë vend anëtar i NATO-s. Një natë më parë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë se aktualisht Serbia është partnere dhe më afër NATO-s, pasi çdo ditë ka bashkëpunim me ushtrinë serbe dhe stërvitje të përbashkëta.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i kundërshtoi ashpër të mërkurën këto deklarata duke theksuar se Serbia vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja.
“Serbia është shtet që kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e vet gjenocidale, është një shtet i cili ka kryer gjenocid, i cili ka kryer krime kundër njerëzimit dhe i cili ka kryer krime lufte e akoma fle mbi varreza masive. Kështu që më lejoni ta them troç, kushdo që e konsideron Serbinë si shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht është duke i ofenduar edhe viktimat e Serbisë së Millosheviçit e cila (Serbia) është njëlloj siç ka qenë edhe para disa dekadave”, tha ajo.
Ambasadori Hovenier u shpreh kundër, siç tha ai, atyre që bëjnë krahasime se kush ku po qëndron në marrëdhënie me kë, duke theksuar se çdo vend duhet ta gëzojë të drejtën të bëjë zgjedhjet e veta në aspektin e sigurisë dhe aleancave.
“Ne e mirëpresim dhe jemi të ndërgjegjshëm që Kosova ka bërë një zgjedhje duke dëshiruar t’i bashkohet NATO-s një ditë dhe ne bëjmë çdo gjë që mundemi për ta mbështetur këtë synim. Besojmë se do të kontribuonte në sigurinë rajonale. Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë energji dhe përpjekje për të mbështetur popullin e Kosovës dhe për ta mbështetur Forcën e Sigurisë së Kosovës ndërsa vazhdon tranzicionin e saj në një forcë të ndërveprueshme me NATO-n, shumëtnike dhe mbrojtëse të territorit”, tha ai.
Ambasadori Hovenier tha se Kosova përputhet shumë mirë me vlerat e NATO-s dhe se Shtetet e Bashkuara presin dhe po punojnë që Kosova të shënojë përparim në synimin për anëtarësim, ndërsa përballet me disa sfida në këtë rrugëtim, siç është mosnjohja e pavarësisë së saj nga disa shtete anëtare të aleancës.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)