Prishtinë, 26 tetor 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur sërish për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Ai ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Ministria e Mbrojtjes kanë demonstruar pjekuri profesionale atë ditë, duke ngritur reputacionin e tyre si partner i besueshëm i sigurisë dhe duke shmangur provokimet që kanë mundur të rezultojnë me përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Këto deklarata Hovenier i ka bërë në konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2023”, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja.
“Dua ta përmend se gjatë sulmit të 24 shtatorit ndaj sovranitetit të Kosovës nga një grup i armatosur paramilitar, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrja e Mbrojtjes kanë demonstruar pjekurinë profesionale dhe durimin e tyre, duke ngritur reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm dhe duke shmangur provokimet që kanë mundur të rezultojnë me përshkallëzim të mëtejmë”, ka thënë ambasadori amerikan, transmeton Telegrafi.
Ai ka deklaruar se SHBA-ja është e gatshme të mbështesë një forcë shumë etnike ushtarake të Kosovës dhe ka theksuar se ShBA-ja ka ndihmuar me mbi 23 milionë euro FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
(r.m.)