Prishtinë, 29 maj 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u ka bërë thirrje edhe një herë të dyja palëve që të ulin tensionet në pjesën veriore të Kosovës dhe t’i kthehen dialogut.
“U bëj thirrje palëve që të deskalojnë situatën dhe t’i kthehen dialogut dhe përtëritjes së raporteve. Zgjidhja është përmes dialogut”, ka thënë Hovenier, pas takimit që ka zhvilluar të hënën pasdite me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ambasadorin e BE-së dhe ambasadorët e vendeve tjera të QUINT-it.
Hovenier ka thënë se Kryeministrit Kurti i kanë sugjeruar që kryetarët ee komunave t’i ushtrojnë detyrat e tyre jashtë objekteve komunale në veri.
“Ajo çfarë po kërkojnë SHBA-ja dhe vendet e QUINT-it është që kryetarët e katër komunave veriore nuk kanë nevojë të punojnë nga zyrat e tyre çdo ditë. E rekomandojmë këtë për një kohë shkurtër”, ka thënë ai.
Hovenier ka thënë se SHBA i dënon ashpër protestat e dhunshme në veri.
“Jemi të shqetësuar për dhunën që është raportuar sot ndaj zyrtarëve në veri. Pamë grafitet në automjetet e KFOR-it dhe dëgjuam për sulmet ndaj gazetarëve, të cilat i dënojmë ashër. E respektojmë të drejtën e çdo qytetari që të protestojë paqësisht, por jo duke përdorur dhunë e duke kërcënuar”, është shprehur Hovenier.
Ambasadori amerikan ka treguar se takimi është thirrur nga Kurti, për të diskutuar për situatën në veri dhe për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.
“Me kërkesë të kryeministrit Kurti ne sot jemi këtu për të biseduar për situatën në veri dhe për të parë nëse marrëveshja në mes dy vendeve është duke u implementuar. Biseduam për rëndësinë e arritjes së një marrëveshje për depërshkallëzim të situatës. Në kërkuam nga kryeministri që të merr hapa për të zbutur situatën”, ka thënë ai.
Sot në mëngjes, ambasadori Hovenier është takuan me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Pas takimit, ai ka thënë se ka shprehur shqetësimin e ndërkombëtarëve “për mundësinë e shpërthimit të dhunës” dhe ka theksuar nevojën për shtendosjen e situatës.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar. E përsëris, nuk është mister që Qeveria amerikane dhe qeveritë e QUINT-it së bashku e kanë thënë se është e rëndësishme të shmangen rrethanat kur zyrtarët publikë hyjnë me dhunë në ndërtesat publike. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë, prandaj biseda jonë me kryetarët ishte se si ata mund të përmbushin detyrat e tyre për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve, siç pritet nga ta dhe siç ne duam që ata të veprojnë, por në një mënyrë që tregon se ata janë të përkushtuar për të qenë përgjegjës për të gjithë qytetarët, që për ne tani nënkupton moshyrjen në ndërtesat publike përmes përdorimit të forcës”, ka thënë Hovenier, pas takimit mePresidenten Osmani.
(r.m.).