Prishtinë, 26 korrik 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka cilësuar të papranueshme fushatën linçuese ndaj policëve të rinj serbë në veri të Kosovës në rrjetet sociale.
Ambasadori Hovenieri ka thënë se përbërja e Policisë së Kosovës duhet të pasqyrojë diversitetin e vendit.
“Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës”, ka shkruar Hovenier në Twitter.
https://twitter.com/USAmbKosovo/status/1684133754233823232
Ai ka ndarë shqetësimin e shefit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, për linçimin e policëve të rinj serbë. Barbano e ka quajtur të papranueshëm çfarëdo forme të kërcënimit apo të frikësimit.
“Jam shumë i shqetësuar nga raportimet e mediave lidhur me mesazhet kërcënuese kundër policëve të rinj të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm, dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe ajo përfaqëson tërë popullsinë e Kosovës”, ka thënë Barbano.
https://twitter.com/EulexHoM/status/1683886312657391616
Në fillim të kësaj jave, Policisë së Kosovës iu bashkuan 72 pjesëtarë të komuniteteve joshumicë. 46 prej tyre janë serbë, 16 boshnjakë, 8 romë, ashkali e egjiptianë dhe 3 turq.
Ndaj policëve serbë, ka nisur një fushatë e egër linçuese nëpër rrjetet sociale. Ata akuzohen se janë vënë në shërbim të politikës së Kosovës e kundër interesit të popullit serb e të shtetit të Serbisë.
Policia e Kosovës tha se shumica dërmuese e llogarive nga të cilat po linçohen policët e rinj serbë janë llogari anonime, të hapura enkas për këtë fushatë linçuese.
(r.m.)