Hovenier: “I tronditur thellë për shpërthimet në shumë pjesë të Kosovës”

Prishtinë, 22 shtator 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, është shprehur i tronditur nga, siç ka shkruar ai, shpërthimet në shumë pjesë të Kosovës.

“I tronditur thellë të lexoj raportet për përdorimin e mjeteve shpërthyese në shumë pjesë të Kosovës. Ne i dënojmë këto akte dhune dhe u bëjmë thirrje autoriteteve të kryejnë hetim të plotë dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët”, ka shkruar ai në Twitter.

Reagimi i ambasadorit Hovenier ka ardhur pas raportimeve se një granatë dore është hedhur në Lagjen e Bosnjakëve, në pjesën veriore të Mitrovicë, natën mes të enjtes e të premtes. Policia njoftoi se shpërthimi i granatës ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka ndërlidhur hedhjen e granatë  me arrestimin e tre qytetarëve serbë të dyshuar për krime lufte.

“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë. Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës. Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se është inspirues, mbështetës dhe urdhërdhënës për këtë akt kriminal.

“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Serbia me në krye Vuçiqin, jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës”, ka shtuar ai.

(r.m.)