Prishtinë, 18 shkurt 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA-ja është krenare për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës ndër vite.
Hovenier e ka thënë këtë në një postim në Twitter, ku ka kujtuar se në ditën e sotme, para 15 vjetësh, SHBA-ja e kishte njohur shtetin e pavarur të Kosovës.
“Këtë Ditë të vitit 2008, Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Kosovën. 15 vjet më vonë, ne jemi krenarë për mbështetjen tonë dhe të frymëzuar nga demokracia e gjallë dhe e lulëzuar që ka arritur populli i Kosovës”, ka shkruar Hovenier.
Postimi shoqërohet me një së fotografish nga ngjarjet më të rëndësishme të procesit të çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.
#OnThisDay in 2008, the United States formally recognized Kosovo. 15 years later, we are proud of our support and inspired by the vibrant, flourishing democracy the people of Kosovo have achieved. pic.twitter.com/XEkGmU8su2
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) February 18, 2023
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka uruar të premten popullin e Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë.
Në letrën e tij, Blinkeni ka thënë se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në këta 15 vjet.
“Përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të Pavarësisë është i jashtëzakonshëm për hapat e saj të mëdhenj në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, multietnike dhe gjithëpërfshirëse. Kosova është një nga vendet më të reja në botë; qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për progresin që ka bërë Kosova në promovimin dhe avancimin e vlerave demokratike dhe forcimin e institucioneve për të ofruar qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi ekonomike për të gjithë kosovarët”, ka thënë Blinken.
Ai e ka vlerësuar sidomos rreshtimin e Kosovës në krah vendeve perëndimore në rastin e Afganistanit dhe në rastin e agresionit të Rusisë në Ukrainë.
“Ne jemi thellësisht mirënjohës për pritjen bujare të Kosovës të afganëve të zhvendosur, përgjigjen e prerë të Kosovës ndaj luftës brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe për ndihmën ndaj gazetarëve dhe të tjerëve që kërkuan strehim në vendin tuaj”, ka thënë Blinken në letrën e urimit të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
(r.m.)