Prishtinë, 15 dhjetor 2022 – Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të enjten se kërcënimet dhe frikësimet për shkak të qëndrimeve politike janë të papranueshme në shoqëritë e lira dhe demokratike.
Ai i ka bërë këto komente pas takimit me Rada Trajkoviqin, këshilltaren e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Kosovë, Nenad Rashiq.
Vetë Trajkoviq ka thënë më herët gjatë ditës se i është pamundësuar për disa orë kalimi nga Serbia në Kosovë, përkatësisht në pikëkalimin kufitar në Merdar.
Trakoviq ka thënë se autoritetet ia kanë kontrolluar makinën në kufi.
Ditë më parë, Trajkoviq ka thënë se përveç kërcënimeve ndaj saj për përfshirjen politike në Qeverinë e Kosovës, kërcënime kanë nisur të kenë edhe fëmijët e saj.
Përndryshe Rashiq është emëruar ministër pasi përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – janë larguar nga institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Emërimi i Rashiqit dhe Trajkoviqit është kritikuar nga Beogradi zyrtar.
(REL)