Hovenier kërkon të shtyhet zbatimi i rregullores që i ndalon pagesat në Kosovë me dinarë të Serbisë

Prishtinë, 29 janar 2024 – Ambasadori amerikan i Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka kërkuar guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, të shtyjë zbatimin e rregullores për përdorim vetëm të euros në operacionet e pagesave me para të gatshme.

Kjo rregullore është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Serbët në Kosovë e konsiderojnë atë si mjet që do t’ua pamundësojë atyre përdorimin e dinarit të Serbisë.

“Sot zhvillova një takim produktiv me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së lidhur me zbatimin e rregullores së miratuar për operacionet me para të gatshme. Ne bëjmë thirrje që zbatimi i kësaj rregulloreje të shtyhet, në mënyrë që të japë kohë për tranzicion më efektiv dhe komunikim me publikun që të zbutet ndikimi negativ te qytetarët”, shkroi Hovenier në X.

Takimi i ambasadorit Hovenier me guvernatorit Ismaili u zhvillua një ditë pasi shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermaniq, Italia dhe Franca) bënë kërkesë për shtyrjen e zbatimit të kësaj rregullorje. QUINT-i ka thënë se kjo rregullore “ngre shqetësime” se do të ketë ndikime negative në mjediset ku komuniteti serb përbën shumicën.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova sqarime për këtë rregullore.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që kontrollohet nga Beogradi, ka thënë se me këtë rregullore “rrezikohet mbijetesa e serbëve në Kosovë”.

Shqetësimin për miratimin e kësaj rregullorje e kanë shprehur edhe autoritetet e Serbisë, përfshirë edhe Presidentin Aleksandar Vuçiq.

Qeveria e Kosovës ka thënë se rregullorja e BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe në Koasovë, popullsia e përdor dinarin serb për pagesa me para të gatshme, kurse ata që punojnë në institucionet paralele të Serbisë në Kosovë paguhen me dinarë të Serbisë. Me dinarë serbë paguhen edhe pensionet dhe përfituesit e shtesave për fëmijë dhe të ndihmave sociale nga sistemi i Serbisë.

Në objektet tregtare të vendbanimeve me shumicë serbe në Kosovë, përdoren euro dhe dinari serb.

(r.m.)