Hovenier: Kurtit ia përsërita kërkesat e SHBA-së, nuk mund të them se ndërroi mendje

Prishtinë, 1 qershor 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është takuar të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për t’ia përcjellë kërkesat e SHBA-së për shtensionimin e gjendjes në pjesën veriore të Kosovës.

Pas takimit, ambasadori Hovenier ka thënë se SHBA u kërkon të dyja palëve të ndërmarrin masa për shtensionim të situatës.

“Shpreha shqetësimet e mia për situatën në veri. Inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të ndihmojë në depërshkallëzim dhe të shohim përpara edhe që Qeveria e Serbisë të ndërmarrë hapa për të ndihmuar për krijimin e një situate më të mirë në veri”, ka thënë ai.

Hovenier ka bërë të ditur se kryeministrit Kurti ia ka përsëritur kërkesën që kryetarët e komunave veriore të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte të tjera e jo në objektet komunale dhe krkesën për tërheqjen e policisë nga objektet komunale. Ai ka thënë se kryeministri Kurti mban të njëjtin qëndrim.

“Nuk mund të them se kam arritur ta ndryshoj qëndrimin e kryeministrit, i cili është i shprehur shumë publikisht”, ka thënë ai.

Ai ka pohuar se Kosova tashmë i vuan disa “pasoja” për shkak të shpërfilljes së sugjerimeve të SHBA-së.

“Tashmë janë disa pasoja të cilat i kam përmendur në situatën që jemi tani. Shpresoj se do t’i kalojmë, në mënyrë që të mos ketë pasoja të tjera”, ka thënë ai.

Hovenier ka shtuar se SHBA-ja është në kërkim të mjeteve tjera për të bindur Qeverinë ‘Kurti’ t’i bëjë gjërat e duhura për shtensionimin e situatës në veri. 

“Më duhet të them që SHBA-ja është duke menduar se çfarë mjetesh tjera ka për ta inkurajuar Qeverinë e Kosovës t’i bëjë atë që ne mendojmë se është shumë e rëndësishme të bëhet tani – arritjen e qetësimin e situatës’, ka theksuar ai.

Ambasadori amerikan ka thënë se me kryeministrin Kurti kanë diskutuar edhe për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.

“Biseduam edhe për rëndësinë e lëvizjes përpara me zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, ka thënë ai.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale.

Por, Kurti këmbëngul se kryetarët e rinj duhet të bëjnë ounën e tyre në zyrat shtetërore, ndërsa policia e Kosovës është dërguar atje për sigurinë e kryetarëve dhe për ruajtjen e rendit e qetësisë.

Situata në tri komunat veriore të Kosovës – Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – u tensionua më 26 maj, kur kryetarët e rinj të këtyre komunave u vendosën me ndihmën e policisë në zyrat e tyre në kuvendet komunale.

Stuata u përshkallëzua më shumë më 29 maj, kur filluan protestat e serbëve kundër hyrjes së kryetarëve të rinj në zyrat e kuvendeve komjunale dhe kundër prezencës së policisë speciale të Kosovës në hapësirat rreth këtyre ndërtesave.

Në Zveçan, protesta degradoi pasi protestuesit sulmuan me mjete të forta, me bomba artizanale, me kuktej molotovi dhe me armë zjarri pjesëtarët e KFOR-it që ishin të vendosur në perimatrin e sigurisë së ndërtesave komunale.

(r.m.)