Prishtinë, 4 gusht 2022 – Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përsëriti të enjten qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të amerikës lidhur me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë të vendosura nga Qeveria e Kosovës,
Ambasadori Hovenier njoftoi se kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, ia ka kujtuar se këto masa janë legjitime për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“I kujtova disa nga qëndrimet e SHBA-së për disa nga çështjet që përfshijnë masat e reciprocitetit që ka dashur t’i vendosë Qeveria e Kosovës. Nga këndvështrimi ynë, ato janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe janë legjitime”, tha ambasadori Hovenier, pas takimit me Rakiqin.
Hovenier tha se shqetësimet e komunitetit serb të Kosovës duhet të shprehen në dialogun e Brukselit.
“Ne folëm edhe për rëndësinë që të sigurohemi që shqetësimet e komunitetit serb të Kosovës të përfshihen në këto bisedime dhe të jenë një element se si do të vazhdojnë gjërat”, tha Hovenier.
Ambasadori tha se në takimin mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që pritet të zhvillohet gjatë këtij muaji në Bruksel, të dyja palët duhet të shikojnë si t’i ulin tensionet.
Ndërkaq, Rakiq, në një postim në Facebook, ka shkruar se ambasadorit Hovenier ia ka përcjellë shqetësimet e popullit serb.
Sipas tij, kriza aktuale në pjesën veriore të Kosovës është pasojë e mosformimit të Asociacionit të komunave me shumocë serbe në Kosovë.
“Në vend që sot ta kishim Asociacionin e komunave serbe, i cili është dashur të formohet me Marrëveshjen e Brukselit para nëntë vjetësh, dhe problemet që i kemi të zgjidheshin përmes mekanizmave të tij, ne ende kërkojmë formimin e tij, gjë që është e papranueshme”, ka shkruar Rakiq.
Ai ka shkruar se populli serb në Kosovë “nuk do t’i nënshtrohet asnjë presioni për realizimin e të drejtave themelore” dhe se kriza që ndodhi ditëve të kaluara mund të zgjidhet përmes dialogut.
(r.m.)