Prishtinë, 17 maj 2023 – Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA presin që kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës, të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit, të kenë vetëm rol Teknik dhe jo rol politik.
“Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik”, ka thënë ambasadori amerikan në një intervistë për “Telegrafin”, pak ditë para se ata të japin betimin dhe ta marrin detyrën.
Ambasadori Hovenieer ka thënë se çfarëdo aktiviteti kriminal që synon të pengojë kryetarët e rinj në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe të partnerëve.
“Të gjitha palët duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe përmbajtje dhe të minimizojnë pikat e mundshme të tensionit. Ne absolutisht nuk mbështesim asnjë përdorim të forcës që mund të rezultojë në tensione të shtuara ose në konflikt të dhunshëm“, ka thënë ai.
Shefi i misionit diplomatik amerikan në Kosovë ka thënë se kryetarët e rinj duhet të pranohen si zyrtarë të zgjedhur, pavarësisht se ku zhvillohen ceremonitë e betimit të tyre.
“Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur bëjnë betimin në ceremoni nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtar i zgjedhur“, është shprehur ai.
Intervista e plotë:
Telegrafi: Kryetarët e ri të zgjedhur në katër komunat veriore pritet të marrin zyrtarisht detyrën, si e komenton Ambasada Amerikane këtë?
Ambasadori Hovenier: Për të qenë plotësisht përfaqësues, demokracia mbështetet në pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje të lira dhe të ndershme; ne gjithmonë shpresojmë të shohim pjesëmarrjen më të fuqishme të votuesve. Siç e kemi vërejtur, zgjedhjet e mbajtura më 23 prill ishin konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë.
Nga këndvështrimi politik, megjithatë, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik, duke njohur kushtet e pazakonta në të cilat ata u zgjodhën. Ne vazhdojmë t’i inkurajojmë ata që të jenë të përgjegjshëm ndaj nevojave të të gjithë zgjedhësve të tyre.
Të gjitha palët duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe përmbajtje dhe të minimizojnë pikat e mundshme të tensionit. Ne absolutisht nuk mbështesim asnjë përdorim të forcës që mund të rezultojë në tensione të shtuara ose në konflikt të dhunshëm.
Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur bëjnë betimin në ceremoni nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtar i zgjedhur.
Telegrafi: A mendoni se kryetarët e rinj mund të pengohen nga grupe ilegale dhe kriminale në pjesën veriore të vendit?
Ambasadori Hovenier: Çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar.
Telegrafi: A mund të sjellë kjo tensione të reja që mund të ndikoj në dialogun Kosovë-Serbi, të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian?
Ambasadori Hovenier: Për të ritheksuar, pritshmëria jonë është që të gjitha partitë – veçanërisht zyrtarët e zgjedhur – të veprojnë në mënyrë që të ulin tensionet, veçanërisht në kohën e rrethanave të ndjeshme në veri të Kosovës.