Prishtinë, 29 dhjetor 2023 – Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka publikuar një video adresim në prag të Vitit të Ri. Në këtë prononcim, ai ka thënë se gjatë vitit 2023 ka pasur momente të vështira, por që ka pasur edhe arritje e shumë përparim, për të cilat thotë se duhet festuar.
Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara si më parë për partneritet me popullin e Kosovës, teksa ka deklaruar se me Qeverinë e Kosovës kanë shtyrë përpara tri qëllimet kryesore.
“Të shohim Kosovën duke e marrë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, sundim më të mirë të ligjit dhe qeverisje të përgjegjshme dhe efektive, dhe zhvillim gjithëpërfshirës të kapitalit njerëzor dhe rritje të qëndrueshme ekonomike”, ka thënë ndër të tjera Hovenier.
Tutje, ai përmendi disa pika kryesore që janë arritur gjatë këtij viti, duke potencuar Gjykatën Komerciale, përfshirjen e SHBA-së në programet e artit dhe arsimit si dhe dyfishimin e zotimit për energji të ripërtrishme.
Ambasadori amerikan ka thënë disa fjalë edhe për dialogun Kosovë-Serbi si një prej çështjeve që ka marrë shumë kohë dhe energji. Ai ka thënë se SHBA pret përparim të njëmend gjatë vitit 2024, duke kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit dhe gjithashtu ka kërkuar nga Kosova që të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Hovenier ka thënë se procesi i normalizimit Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe ka thënë se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të Implementimit është hap i madh drejt këtij synimi.
In 2023, though we have experienced some difficult moments together, a lot of progress has been achieved that we should acknowledge and celebrate. Above all, our 🇺🇸🇽🇰 partnership & friendship remains strong. Wishing you and yours a happy, healthy, and prosperous 2024. pic.twitter.com/GJsDvOCwXz
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) December 29, 2023
(r.m.)