Prishtinë, 21 gusht 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Mary Elieen Devitt nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nënshkruan sot në Prishtinë amandamentin e Marrëveshjes për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara, në shumë shtesë prej 34.5 milion dollarësh.
Presidentja Osmani tha se kjo marrëveshje, e cila arrinë shumën totale prej 142.6 milion dollarësh, është “rikonfirmim i vizionit tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim”.
Ajo tha se SHBA e kanë mbështetur secilën nismë për fuqizimin e institucioneve demokratike në Kosovë.
“Secila nismë që ka në qendër përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe forcimin e institucioneve demokratike dhe llogaridhënies ka gjurmët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E sot nuk është aspak ndryshe. Marrëveshja që e nënshkruam me SHBA-të, USAID-in është edhe një rikonfirmim i vizionit të përbashkët për një të ardhme më të mirë dhe të qëndrueshme për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”, tha ajo.
Presidentja Osmani e cilësoi partneritetin me Shtetet e Bashkuara si garanci për një të ardhme të ndritur në Kosovë.
“Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe mbeten partner i përkushtuar dhe i palëkundur i popullit të Kosovës në këtë drejtim. Krahas përkrahjes financiare, populli amerikan ndër vite ka treguar partneritet të vazhdueshëm të ndërtuar mbi vlera, por mbi të gjitha partneritet i ndërtuar në besim të ndërsjellë, besim në një Kosovë që në qendër të vëmendjes ka popullin e saj”, tha Presidenrtja Osmani.
“Këto nisma të përbashkëta janë deklarimi i fuqisë së bashkëpunimit tonë dhe një garanci për një të ardhme të ndritur për vendin tonë. Sa herë punojmë bashkë me SHBA-në, qytetarët tanë dhe shteti ynë përfiton”, thëeksoi ajo.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përsëriti se sfidat që janë prodhuar nga me disa vendime të Qeverisë Kurti “kanë ndikuar në cilësinë e partneritetitetit” midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Shumë prej jush keni parë raportin në media për dallimet e Shteteve të Bashkuara dhe të anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me Qeverinë e Kosovës mbi disa veprime që janë ndërmarrë nga qeveria aktuale e kryeministrit Kurti. Po përballemi me disa sfida me qeverinë e tanishme të Kosovës të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë. Ashtu siç tha më herët zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Qeveria amerikane shpreson se Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë të Kosovës”, tha ai.
Ambasadori Hovenier tha se përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë dhe i hekurt siç ka qenë gjithmonë, ndonëse bashkëpunimi me Qeverinë aktuale të Kosovës në disa fusha “mbetet më pak pozitiv se që kishin shpresuar”.
Ai tha se këtë e dëshmon edhe marrëveshja e nënshkruar sot.
(r.m.)