Hovenier: SHBA do ta vëzhgojë nga afër zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës

Prishtinë, 21 prill 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të premten se qëndrimi amerikan lidhur me procesin zgjedhor në veri të Kosovës është i qartë dhe nuk ka ndryshuar.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ambasadori Hovenier ka rikujtuar se zgjedhjet lokale në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës mbahen në zbatim të dispozitave kushtetuese e ligjore të Kosovës.

Ai ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do ta vëzhgojnë këtë proces nga afër”, ka thënë zoti Hovenier.

Ndërkaq nga Qeveria e Kosovës ka kërkuar që të ketë ndjeshmëri ndaj shqetësimeve të qytetarëve që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës.

Ambasadori amerikan ka theksuar se partitë politiike duhet të jenë të vetëdijshme për “përgjegjësinë që kanë për të respektuar proceset demokratike”, duke rikujtuar se ato e kanë pasur mundësinë të regjistrohen për të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilëve vetëm një nga komunitetit serb. Alleksandar Jabllanoviq, kandidat i Partisë së Serbëve të Kosovës për kryetar të Leposaviqit, është tërhequr nga gara me arsyetimin se “nuk ka kushte adekuate” për mbajtjen e tyre.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje.  Madje, ajo u ka bërë thirrje serbëve që t’I bojkotojnë këto zgjedhje.

(r.m.)